
Vijojnë protestat e dhunshme në Liban pasi qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë fill pas shpërthimit tragjik që i mori jetën 158 personave duke shkaktuar edhe 6 000 të plagosur, ndërsa numërohen më shumë se 20 të humbur.
Raportohet se gjatë protestave të sotme janë plagosur të paktën 110 persona.
Pas përplasjes me policinë dhe djegies së Ministrisë së Jashtme, protesta po vijon në rrugët e Beirutit.
Nga pamjet e publikuara në mediat ndërkombëtare shihen momentet e përplasjes së ashpër mes policisë dhe protestuesve.
Ndërkohë që Beiruti është duke vuajtur pasojat e shpërthimit të fuqishëm që shkaktoi më shumë se 158 të vdekur dhe 6 000 të plagosur, mijëra protestues janë mbledhur në kryeqytet për të kërkuar largimin e qeverisë.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se mijëra protestues janë mbledhur në “Sheshin e Martirëve” duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë duke e cilësuar përgjegjëse për atë që ndodhi në vend.
Sipas protestuesve, qeveria e dinte që në port ndodheshin sasi të mëdha të nitratit të amonit duke mos bërë asgjë për largimin e këtij rreziku.
Madje, ata kanë kërkuar që të qeverisen nga shtete të huaja më mirë, për shembull nga Franca, në vend të klasës së korruptuar politike të vend.
Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën e protestueve duke hedhur ndaj tyre edhe gazlotsjellës, ndërsa një numër i madh prej tyre kanë arritur të futen në godinën e Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, disa prej protestuesve i janë përgjigjur policisë me bomba molotov duke i vënë zjarrin gjithashtu edhe disa makinave.
Pak ditë më parë, një sasi prej 2 750 ton nitrat amoni shpërtheu në portin e Beirutit duke shkaktuar 138 të vdekur deri më tani, 6 000 të plagosur dhe dëme kolosale materiale.

Raportohet se të paktën 21 persona janë ende të humbur dhe dyshohet se janë nën rrënojat e godinave të shkatërruara nga shpërthimi.
