Një helikopter i Forcave Ajrore Shqiptare ka bërë ulje të detyruar në një nga zonat e Toscanas në Itali mëngjesin e të enjtes së 30 korrikut.
Lajmi u dha nga mediat italiane të cilat shkruan se mjeti fluturues ishte nisur nga Franca drejt Shqipërisë por në një moment ka pësuar avari duke bërë zbritje urgjente në Casentino. Helikopteri kishte në bord katër anëtarë dhe pësoi nxehje të pjesëve motorike. Fillimisht helikopteri u pa nga një banor i komunës Poppi, i cili lajmëroi edhe karabinierët. Këta të fundit pas konstatimeve të para thanë se nga ky rast mund të kishte ndodhur edhe një tragjedi.
“Shkathtësia dhe gatishmëria e pilotit shmangën më të keqen. Nuk ka dëmtime në mesin e anëtarëve të ekuipazhit, dhe as në mesin e popullatës, nuk ka dëmtime në strukturat”, tha polica italiane.
Por Gjeneral Piro Ahmetaj, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Ish-Zëvëndës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA,lidhur me këtë rast i kërkon “SPAK të hetojë tenderat kriminale të Ministrisë së Mbrojtjes me mirëmbajtjen e helikopterëve”.
Sipas tij, pas kësaj ngjarjeje fshihet një kontratë korruptive e Ministrisë së Mbrojtjes për mirëmbajtjen e helikopterëve, që duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e pilotëve, duke shkatëruar kapacitete kritike të FA si dhe pasurinë kombëtare (Helikopteri COUGAR me vlerë 17 milionë €uro).
Ai ngre 12 pyetje për MM, për të cilat thotë se janë edhe ndihmë për SPAK. Mes tyre ai flet për largimin e kompanisë gjermane që i mirëmbante dhe një kontrata zyrtare të lidhur me kompaninë Franceze “Artelis SAS”.
POSTIMI I PLOTË
Në dt. 30.07.2020, mediat Italiane informuan se “falë aftësisë së pilotëve, u shmang tragjedia”, një helikopter i Forcave Ajrore të RSH bëri ulje emergjente në rajonin e Peskarës, Itali.
Mbas këtij lajmi, një ekspert i përgjegjshëm i forcave ajrore më ka informuar në mirëbesim për një kontratë korruptive të Ministrisë së Mbrojtjes për mirëmbajtjen e helikopterëve, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e pilotëve, duke shkatëruar kapacitete kritike të FA si dhe pasurinë kombëtare (Helikopteri COUGAR me vlerë 17 milionë €uro), fshihet mbas këtij rasti.
Për të ndihmuar organet e drejtësisë (SPAK), për të nisur menjëherë hetimet, kam ndërtuar 12 pyetje publike dhe fare të thjeshta ndaj institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes (MM):
1. Pse MM dhe Autoritetet Ushtarake përgjegjëse vijojnë të mos kenë asnjë deklaratë zyrtare për këtë prag-tragjedi me jetën e pilotëve dhe helikopterin?!
2. Pse është ndërprerë kontrata e shërbimeve të mirëmbajtjes me kompaninë e mirënjohur gjermane “Airbus” (kompania prodhuese e këtyre helikopterëve), dhe cilat janë arsyet që kjo kompani është larguar nga Rinasi (RSH), pas rreth 8 vitesh?!
3. Kush është kontrata zyrtare e lidhur me kompaninë Franceze “Artelis SAS”, e cila është më së shumti për transportin ajror në ndërtimin e linjave elektrike dhe teleferikëve, etj?!
4. Kush është kostoja e shërbimeve të helikopterëve nga “Artelis SAS”, kush është cilësia, si dhe sa është në total (përfshirë dhe transportin) diferenca e kostos me kompaninë Airbus?!
5. Kush janë arsyet ekonomike që helikopterët transportohen me Trajler nga Shqipëria në Francë, dhe sa është kosto shtesë?!, pasi ky është një rast unikal në botë, jo vetëm për koston e transportit që i mbivendoset asaj të mirëmbajtjes, por për prestigjin e një shteti!!
6. Kush do të përgjigjet për dëmin ekonomik (përfshi transportin?), kompania “Artelis SAS” apo shteti shqiptar?! Aktualisht helikopteri COUGAR ka një kosto dëmi tepër të lartë për t’u transportuar dhe riparuar përsëri.
7. A e ka ky helikopter uljen e dytë të detyruar (edhe para tre javësh?), dhe a është rikthyer te kompania Franceze “Artelis SAS” (?), Si, sa dhe kush e ka përballuar koston shtesë?!
8. Sipas ekspertëve italiane “shkathtësia e pilotëve shmangu një katastrofë ajrore”, dhe pyetja kritike mbetet nëse merret në konsideratë “pesha e rrezikut” për jetën e pilotëve?!
9. A janë pilotët të certifikuar, me eksperiencë fluturimi në lartësi të ulëta dhe mbi ujë (?); ka shkelje të rregullave të fluturimit, të shërbimeve të mirëmbajtjes, karburantit, etj ?!
10. A vazhdon të jetë në “arat e Pescarës”, Itali, helikopteri, kush janë procedurat standarte dhe praktika e plotë e kontratave të mirëmbajtjes së helikopterëve të Forcave të Armatosura?!
11. A janë pezulluar gjatë vitit 2018 nga puna për 8 muaj, 6 specialistë përgjegjës per shërbimet e mirëmbajtjes së helikopterëve në bashkepunim me kompaninë Airbus ?!
12. Pse MM prej 2 vitesh, shkelë me dy këmbët Kushtetutën (pika 1, neni 168 dhe pika 3, neni 169) dhe funksioni i Komandantit të Forcave Ajrore (si dhe FD) ushtrohet nga Zëvëndësi?!
Në shtesë, sjellim në kujtesë rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës, para 4 vitesh, ku humbën jetën dy pilotë, të cilët Qeveria në ikje i dekoroi “nxitimthi” dëshmorë të Atdheut.
Po a mjafton vetëm dekorimi si përgjegjësi shtetërore (?), për të mjekuar dhimbjen, mësuar nga gabimet dhe ndëshkuar zyrtarët e korruptuar, në mënyrë që rastet fatale të mos përsëriten ?!
Drejtësia ende nuk ka folur, nëse ka patur hetim rreth këtij aksidentit fatal, kush janë përgjegjësit për dy jetët e humbura si dhe shkatërrimin e pasurisë kombëtare (Helikopterin EC-145) ?!
Në përmbledhje të sa më sipër, shpresoj që SPAK do ta hetojë me përparësi këtë rast si dhe do t’i çojë përpara ligjit zyrtarët e papërgjegjshëm, që të verbuar nga babëzia për të vjedhur çka mbetur, kanë rrezikuar seriozisht jetën e pilotëve, kanë shkatërruar kapacitete kritike të Forcave të Armatosura ose pasurisë kombëtare si dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e RSH në NATO.
Gjeneral Piro AHMETAJ,
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Ish-Zëvëndës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.