Policia e Pogradecit ka kërkuar përforcim nga RENEA sot për të arrestuar 4 personat e përfshirë në sulmin me armë ndaj hotelit në Tushemisht.
News 24 raporton se të fshehur në një çadër janë kapur, organizatori i këtij sulmi Ilir Berberi dhe tre 3 bashkëpunëtorë të tjerë të implikuar: Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia.
Dy ditë më parë u vu në pranga edhe një bashkëpunëtor tjetër: Mariglen Topuzi. Aktualisht në kërkim janë shtetasit Meard Berberi dhe Brian Syzo.
Policia ka shpërndarë edhe videon e momentit kur katër të arrestuarit mbërrijnë në komisariatin e policisë.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ndaj shtetasit Ilir Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”.
Këto akuza rëndojnë për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore.
Gjithashtu, po atë ditë kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.
Gjithashtu ky shtetas dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.
Gjatë operacionit, shtetasit Ilir Berberi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.