Shpërthimi në rajon i teorive konspirative gjatë pandemisë po ushqen njëlloj paranoje kolektive, e cila mundet vetëm të dëmtojë besimin tek institucionet dhe te demokracia.
Nga Marija Djoric
Teoritë e konspiracionit janë një fenomen social që nuk lënë askënd indiferent. Popullariteti i tyre rritet veçanërisht në kohë krizash të mëdha – siç është tani pandemia e COVID-19.
Si rregull i pashkruar, në kohë krize njerëzit bëhen më mosbesues dhe paranojakë, duke shpërndarë ankthin kolektiv rreth globit, përfshi edhe Ballkanin Perëndimor.
Ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi vlefshmërinë e “teorive të komplotit”. Njëra u qaset atyre pa kritikë, duke i konsideruar të vërteta absolute.
Pikëpamja e kundërt i hedh poshtë të gjitha teoritë konspirative si produkt i imagjinatës njerëzore. Por a gjendet e vërteta mes këtyre dy mundësive, siç ndodh në serialin televiziv fantashkencor “The X Files”?
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngjarjet kanë hapur kaq shumë mundësi për manipulime. Disa prej të ashtuquajturave teori komploti, të kombinuara me lajmet e rreme i hapin rrugën paranojës kolektive. E gjitha kontribuon në mungesën e besimit tek institucionet ekzistuese, duke minuar drejtpërdrejt demokracinë e brishtë në rajon.
Komploti si fenomen është rrënjosur në racën njerëzore që në ditët e para të ekzistencës së saj. Një sekret i lidh aktorët në çdo komplot, duke i bërë ata të prekshëm.
Ndaj ruajtja e sekretit është përparësia e grupit të komplotit. Siç u përmend, qëllimi i komplotit është i dyanshëm; të dëmtojë ose të ndihmojë dikë. Komploti është gjithashtu pjesë e shumë dukurive politike, të tilla si terrorizmi, vrasjet, luftërat dhe më gjerë.
Ekzistenca e komploteve nuk duhet të dyshohet, sa kohë që veprimet konspirative shtrihen në thelbin e natyrës njerëzore. Kjo dokumentohet më së miri në natyrën e aktiviteteve politike, e cila është kryesisht e fshehtë –vlerësohet gjerësisht se të paktën 80% e vendimeve politike merren pas “dyerve të mbyllura”.
Problemi lind me fenomenin e “teorive të komplotit”, i cili është përgjithësisht me natyrë negative. Shpjegimet jo-konvencionale të fenomeneve ose përmes provave të jashtëzakonshme – përfshirë rolin e “njerëzve djallëzorë” që synojnë të dëmtojnë në ndjekjen e interesit të tyre janë mënyra se si “teoritë e komplotit” mund të përshkruhen shkurtimisht.
Edhe përpara pandemisë së koronavirusit, ne ishim familjarë me idetë se Toka është e sheshtë, se bota sundohet nga njerëz –zvarranisë, se Hitleri është ende gjallë apo se ka alienë mes nesh. Ekzistojnë madje teori për origjinën e “teorive të komplotit” ose siç do t’i quanin filozofët –meta teoritë konspirative.
Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi i ka shtuar jashtëzakonisht spekulimet, duke sjellë teori të reja komploti në Ballkanin Perëndimor. Pesë teoritë më popullore janë si më poshtë:
1-Bill Gates e krijoi artificialisht virusin, në mënyrë që të përfitonte së bashku me globalistët dhe kompanitë farmaceutike: qëllimi i tyre final është që të bëjnë një vaksinë dhe përmes saj t’u injektojnë njerëzve mikroçipe.
2-Koronavirusi u shkaktua nga efektet e rrjetit 5G. Kjo ide është hedhur nga figura të ndryshme publike, të tillë si David Icke, i cili ka pothuajse 1 milion ndjekës në kanalin e tij në Youtube, i cili meqë ra fjala, u hoq gjatë pandemisë.
3-Koronavirusi është një trillim, i përdorur për të zhvendosur vëmendjen publike nga qëllimi i vërtetë politik- popullimi i Ballkanit Perëndimor nga emigrantët ilegalë.
4- Ne jemi duke u spërkatur nga një substancë me origjinë të panjohur që shpërndahet nga aeroplanët, që ndikon në shendetin e njerëzve.
5-Klima po ndryshohet artificialisht. Prova për këtë është dëbora në Serbi, e cila gjoja nuk mund të shkrihet as me zjarrin e një çakmaku.
Ne mund të habitemi se pse këto “teori komploti” janë kaq popullore dhe kush e vendos kufirin mes asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e gënjeshtërt. Problemi me këto teori është se ato nuk bazohen tërësisht në gënjeshtra. Ato përmbajnë një grimcë të vërtete që mbytet në detin e trillimeve (dhe realitetit).
Është gjithashtu e mundur të shpjegohet nevoja për to në Ballkanin Perëndimor në disa mënyra. Së pari, shpjegime të tilla krijojnë një iluzion kontrolli. Edhe e vërteta më e keqe mund të jetë më e mirë se pasiguria dhe Ballkani është në një gjendje të përhershme pasigurie.
Është e paqartë se kur shtetet do t’i bashkohen BE-së, se ku ndodhen kufijtë, se kur ose nëse standardet tona të jetesës do të përmirësohen ndonjëherë. Së fundmi, është e paqartë nëse ne do të mbijetojmë nga COVID-19. Mes këtij ankthi kolektiv, përgjigjet e ofruara nga “teoritë e komplotit” janë një fije kashte ku mund të varesh.
Shpjegimi i dytë është ndjenja e epërsisë. Të kesh përgjigje për pyetje kaq të vështira, si p.sh. pandemia, krijon iluzionin e pushtetit mbi armikun e supozuar që po “komploton për të na shkatërruar”. Kësisoj, ne tregojmë fajtorin dhe duke bërë kështu, forcojmë identitetin tonë kolektiv.
Shpjegimi i tretë është ndjesia e kuptimit që na japin “teoritë konspirative”. Pavarësisht nga natyra jo-konvencionale e shpjegimeve të tyre, gjithçka duket çuditërisht logjike dhe merr kuptim.
Dixhitalizimi i komunikimit është sigurisht i favorshëm për masivizimin e “teorive të komplotit” dhe në fund të fundit, mund të na çojë drejt autoritarizmit dixhital.
Është tashmë e qartë se si disa aktorë politikë në botë e përdorën pandeminë si justifikim për kontrollin e informacionit, duke na degraduar në nivelin e para-politikës.
Së fundmi, si qënie racionale, njerëzit duhet të kenë të drejtën e dyshimit, por aq sa të menduarit kritik. Mbi të gjitha, ky është parimi themelor i demokracisë.
E vetmja pyetje që mbetet e paqartë është po sikur disa prej “teorive të komplotit” nuk janë thjesht teori? Siç e ka thënë edhe Frojdi: “Vetëm se unë jam paranojak nuk do të thotë se ata nuk janë atje për të më marrë”.