Numërimi mbrapsht ka nisur. Në orën 19;00 Tirana zbret në fushën e lojës për ndeshjen e parë në Champions League. Kampionët shqiptarë luajnë në transfertë kundër Dinamo Tbilis, një rival i vështirë po jo I pakalueshëm për bardheblutë që kërkojnë të shkojnë sa më larg në turneun më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.
Seanca e vetme e së martës së mbrëmje në stadiumin e ndeshjes në kryeqytetin gjeorgjian ka zgjidhur edhe dilemat e pakta të Emanuel Egbo sa I përket formacionit që do të zbresë në fushë nga minuta e parë. Ashtu siç ishte parashikuar, Toli dhe Najdovski do të debutojnë me Tiranën në këtë sfidë.
Dy afrimet e verës do të formojnë vijën e mbrojtjes përpara portierit Lika, bashkë me Vangjelin, ndërsa në dyshim është aktivizimi i Hoxhallarit. Mbrojtësi i majtë shfaqi probleme në seancën e fundit stërvitore dhe nëse nuk ia del, gati për një vend në formacion është Ismajlgeci.
Nuk ndryshon mesfusha, ku Batha dhe Çelhaka të tërhequr duhet të mbështesin treshen Cobinah-Kale-Torasa në ndihmë të sulmuesit të vetëm të deklaruar. Ky rol i besohet Ernest Muçit, që me largimin e Michael Ngoo do të marrë përsipër vijën e parë të sulmit bardheblu në sezonin e ri.