Ndaj Shahtjorit ish te një nga dy lojtarët më të mirë në fushë së bashku me Lautaro Martinezin, por nëse do të jepej një çmim sezonal, Romelu Lukaku do ta meritonte plotësisht. Jo vetëm sepse prej 10 ndeshjesh radhazi gjen golin në Kupat e Europës, si askush tjetër në historinë e futbollit (theu rekordin e Alen Shirerit, i cili kishte arritur të realizonte në 8 ndeshje radhazi, në arenën kontinentale), por edhe sepse ka qenë gjithnjë në fushë për skuadrën e tij.
Në një intervistë të shkurtër për kanalin zyrtar të UEFA-s, sulmuesi zikaltër ka folur për formën e tij fantastike, por në të njëjtën kohë ka premtuar se ka ende fishekë për të shpenzuar, në ndeshjen e fundit të sezonit, atë kundër Sevijes, të premten në orën 21:00:
“Pse shënoj kaq shpesh? Sepse luaj në një skuadër të shëndetshme, ku secili mundohet të bëjë sa më mirë detyrën e tij. Nuk ka qenë e lehtë, por besoj se tani po dallohen frytet e punës së madhe që kemi bërë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik e psikologjik. Jemi të gjithë në formë të shkëlqyer dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për ecurinë tonë”.
Lukaku më pas nuk ka hezituar të komentojë edhe paraqitjen e fundit kur Interi i bëri ukrainasit të dukeshin si gjysmëfinalistë rastësorë. “Të hënën u treguam të aftë në kombinime dhe i përballuam mirë sulmet e tyre, duke rreshtuar tre mbrojtësit pranë njëritjetrit. Forca jonë fizike ishte tej mundësive të Shahtjorit. Pasi i lodhëm në 45 minutat e para, patëm mundësi të tregojmë forcën tonë në fraksionin e dytë të lojës” shpjegoi sulmuesi, i cili tashmë ka nisur që të etiketohet edhe si Romelu “da Lima”.
Arsyeja lidhet me ishFenomenin zikaltër, Ronaldo da Lima, pasi rastësitë mes brazilianit dhe “Big Rom” janë të frikshme. Ronaldo, në sezonin e parë që mbërriti tek Interi (1997-1998), shënoi 34 gola dhe në fund e mbylli me fitoren e Kupës UEFA, ajo që sot ka marrë emrin Liga e Europës. Dhe Lukaku, i cili të premten do të mbyllë sezonin e tij të parë me zikaltrit, numëron 33 gola dhe ka vënë në shënjestër Ligën e Europës.
Dhe ky krahasim nuk e tremb aspak belgun 27-vjeçar: “Edhe unë si Ronaldo? Ajo që di të them është se rekordet janë bërë për t’u thyer, por fillimisht na duhet të mendojmë më tepër për Sevijen. Skuadra spanjolle është favorite për suksesin në finalen e madhe të së premtes, duke qenë se mban rekordin e trofeve të këtij turneu. Gjithsesi, ne jemi gati për të mahnitur sërish dhe personalisht dua ta mbyll sezonin tim të parë tek Interi njësoj si Ronaldo da Lima”.