Edhe pse numri i rasteve me Covid-19 po rritet, Italia nuk planifikon vendosjen e një karantine të dytë

    0

    Qeveria italiane nuk po shqyrton vendosjen e një karantine të radhës në vend, pavarësisht një rritje të qëndrueshme të rasteve me Covid-19 gjatë muajit të kaluar.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri i shëndetësisë Roberto Speranza.

    Italia, një nga vendet më të goditura në Evropë me më shumë se 35,000 vdekje, raportoi 1.071 raste të reja me Covid-19 në shtunën, duke tejkaluar 1.000 raste në ditë për herë të parë pasi qeveria lehtësoi masat shtrënguese dhe hoqi karantinën.

    “Ne nuk do të kemi një karantinë të re,” tha Speranza për të përditshmen La Stampa të dielën, duke shtuar se situata aktuale nuk mund të krahasohet me atë të shkurtit dhe marsit, kur sëmundja po përhapej jashtë kontrollit.

    “Jam optimist, edhe pse i matur. Shërbimi ynë shëndetësor kombëtar është bërë shumë më i fortë,” deklaroi ai.

    Speranza shtoi se Italia ka dyfishuar numrin e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv.

    Në një intervistë për gazetën Corriere della Sera, nënsekretarja  e Shëndetësisë Sandra Zampa tha se ajo ishte e bindur që Italia nuk do të vendoste një karantinë mbarëkombëtare, por nuk përjashtoi kufizime në territoret në vendet ku ka rritje të rasteve.

    Artikulli i mëparshëmMjeku shqiptar në gjendje të rëndë pas infektimit me koronavirus: Familjarët bëjnë apel për ndihmë
    Artikulli i radhësPolicia, në kërkim të burrit që u jep njerëzve “përqafime Covid-i”