Divorcet jo përherë mbyllen me mirëkuptim. Aq më tepër kur partnerët nuk e kanë vendosur ende se si do veprojnë dhe ndërkohë jetojnë mes grindjeve dhe sherreve.
Por kjo nuk është më e keqja që mund të ndodhë. Gjendja mund të agravohet aq shumë, sa njëri nga partnerët mund të përfundojë edhe në garazhin e makinës si një formë për t’i bërë apel për reflektim. Saktësisht kjo e fundit i ka ndodhur një 48-vjeçari nga Puka me inicialet P. H, i cili pretendon se u rrëmbye nga vjehrri dhe kunetërit, pasi ata ishin nevrikosur nga sjelljet e dhëndrit të shtëpisë.
Ditën që i ndodhi “rrëmbimi” disaminutësh ai kishte dalë plot mëri ndaj bashkëshortes, dhe i ati dhe i vëllai i saj u shfaqën pranë punës së 48-vjeçarit aq me mirësjellje sa ai nuk e refuzoi dot ftesën për një kafe. Më vonë i gjakosur dhe plot me shenja dhune në fytyrë burri u paraqit në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Fillimisht burimet e gazetës Si pranë spitalit treguan se pacienti kishte pretenduar që ishte rrëzuar pa dashje në lagjen ku ai banon në afërsi të Shkozës.
Por mjekët janë shfaqur mosbesues dhe menjëherë kanë njoftuar policinë që sapo ka mbërritur ka nisur nga pyetjet, se ku konkretisht ai e kishte pësuar aksidentin, nëse ishte i shoqëruar me ndokënd apo nëse kishte dëshmitarë? Me kaq shumë pyetje 48-vjeçari është dorëzuar dhe ka treguar se çfarë lloj “aksidenti” kishte pësuar.
Isha në punë, kur në mesditë aty ia behën vjehrri im dhe kunati, vëllai i bashkëshortes. Vjehrri më ftoi për kafe. Lashë menjëherë punën dhe hipa në makinën e tyre pasi aty afër ku punoj nuk ka asnjë bar – rrëfen në polici dhëndri i rrahur.
Por automjeti në vend që të parkonte pranë ndonjë lokali, ka devijuar duke dalë nga kryeqyteti. Sipas burimeve të policisë për gazetën Si, sapo vjehrri dhe kunati kanë pikasur një zonë të papopulluar, kanë zbritur nga makina.
“Zbrita. Por filluan të më dhunojnë fizikisht. Pa më thënë asgjë më godisnin në fytyrë, dhe në pjesë të ndryshme të trupit me një shkop dhe një levë. Nuk më treguan asgjë se përse po më rrihnin”, shpjegon më tej i dëmtuari.
Por 48-vjeçari pas rrahjes duket se ka reflektuar e ndonëse asnjëri nga të afërmit e të shoqes nuk i ka thënë një fjalë pas goditjeve, ai ka vrarë mendjen dhe e ka kuptuar.
“Shkaku i konfliktit është për problemet që kam me bashkëshorten. Kam dashur të divorcohem disa herë nga gruaja, e cila është vajza e M. dhe motra e L.
Policia shpjegon në procesverbal se vjehrri i moshës 65 vjeç dhe i biri 35 vjeç u shpallën në kërkim për plagosje të rëndë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë për sa kohë, ftesa e kafes rezultoi që ishte një justifikim për ta rrëmbyer pak kohë.
Sipas burimeve të gazetës Si pranë Mjekësisë Ligjore, institute IML bashkëngjiti një kopje të ekspertizës mjeko-ligjore në të cilën përshkruhen plagët e 48-vjeçarit. Por siç shtojnë burimet, pas leksionit burri ka kërkuar të kthehet në shtëpi te gruaja, e cila nga ana e saj nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur, pasi ishte ankuar në telefon tek e ëma për sherret e shtëpisë.