Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar hetimin administrativ ndaj noteres Violeta Sulkaj, në lidhje me skandalin e denoncuar disa javë më parë, për një kontratë shit-blerje të falsifikuar.
Bëhet fjalë për kontratën e një pasurie në Korçë, firmosur nga shitësi Andon Dhima dhe blerësja Natali Blushi, vajza e ish-deputeti socialist dhe ish-kreut të LIBRA-s, Ben Blushi.
Firma e Natali Blushit është falsifikuar, pasi në atë kohë ajo nuk ndodhej në Shqipëri, kjo e vërtetuar edhe nga të dhënat e sistemit TIMS.
Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë thanë se ka filluar hetimi administrativ ndaj noteres Violeta Sulkaj dhe ashtu siç e parashikon ligji do të bëhet verifikimi i plotë i denoncimit në lidhje me noteren dhe më pas do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë.
Kujtojmë këtu se bazuar në ligjin për Noterinë, ministria e Drejtësisë duhet të ngrejë komisionin që duhet të hetojë noteren, e cila ka kryer një vepër penale vite më parë, dhe i takon këtij komisioni të vendosë për fatin e licencës së saj.
Falsifikimi i firmës së Natali Blushit
Investigimi ka zbuluar se në prani të noteres Violeta Sulkaj në 28 dhe në 29 maj të vitit 2015 janë përpiluar dhe firmosur 2 kontrata, në emër të Natali Blushit, ndërsa kjo e fundit ndodhej në Londër, asokohe vetëm 20 vjeç.
Bëhet fjalë për një skandal me blerjen e një pasurie me vlerë tregu 500 mln lekë në qendër të Korçës, në emër të vajzës së Ben Blushit, shkruar në kontratën e shitjes vetëm 30 mijë euro.
Sipas të dhënave zyrtare që ne kemi siguruar nga TIMS, pra nga sistemi i hyrje-daljeve nga Shqipëria, rezulton se Natali Blushi nuk ka qënë në Shqipëri gjatë kohës që është firmosur kontrata e shit-blerjes mes shtetasit Andon Dhima dhe shtetases Natali Blushi.
Ndërkohë, shtetasja Natali Blushi ka dalë nga Shqipëria në datën 5 prill 2015, me linjën ajrore Al Italia drejt Romës.
Kjo është lëvizja që ka bërë drejt Italisë në muajin prill Zonjusha Natali Blushi dhe daljen e dytë e ka më pas në datën 24 korrik, po të vitit 2015.
Pra, Natali Blushi ka dalë në 5 prill të vitit 2015, drejt Romës nga Aeroporti i Rinasit, dhe sipas të dhënave të sistemit TIMS, zonjusha është rikthyer në Shqipëri, me linjën e avionit British Airëays, nga Londra në datën 19.06.2015, në orën 21:14 minuta.
Pra, sipas të dhënave të siguruar nga TIMS rezulton se ka hyrë në Shqipëri në datën 19 qershor, pasi ishte larguar më parë në datën 5 prill. Pra, më shumë sesa dy muaj më parë.
Një tjetër detaj që korrespondon është fakti se vetë Ben Blushi në deklarimin e tij të pasurisë, ka thënë se vajza e tij, Natali Blushi, studion në Londër, ç’ka korrespondon me të dhënat e fluturimeve, hyrjet dhe daljet që ajo ka pasur në Shqipëri, kryesisht nga Rinasi, nëpërmjet Italisë, por edhe direkt nga Londra.
Fakti është fakt, firma e Natali Blushit është falsifikuar në zyrën e noteres Violeta Sulkaj. Se kush e falsifikoi, kjo i takon institucioneve përgjegjëse ta hetojnë.
/CNA.al