Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ngriti parlamentin në këmbë me deklaratën e tij dy ditë më parë duke thënë se do të paraqesë së shpejti një projekt-ligj për zgjerimin e ujërave të saj territoriale në detin Jon nga 6 në 12 milje.
“Unë njoftoj sot në këtë fjalim kombëtar se menjëherë me një projekt ligj, Greqia do të zgjerojë territorin e ujërave të saj në perëndim nga 6 në 12 milje”, u shpreh ai ndërsa një pjesë e madhe e deputetëve u ngritën duke duartrokitur teksa nënkuptonin se e mbështesnin këtë vendim.
Nuk u ndalën duartrokitjet ndërsa kryeministri vazhdoi duke thënë: “Greqia po rritet… të tjerët e kanë thënë këtë, por ne jemi ata që po e zbatojmë këtë praktikë. Ne po rritemi në këtë mënyrë në zonën detare, konkretisht atë të ishujve në detit Jon dhe të ishujve të tij deri ne kepin Tenaro të Peloponezit, duke ushtruar të drejtën tonë të padiskutueshme në përputhje me nenin 3 të Konventës për Ligjin e Detit.”
Më pas shtoi se “Ministri i jashtëm ka informuar tashmë homologët e tij italianë dhe shqiptarë”. Kjo cështje ka nxitur shumë debat dhe kritika në vendin tonë, ndërsa sot kishte edhe disa replika virtuale mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. PD kërkonte transparencë dhe donte të mësonte nëse cënohet hapësira shqiptare.
Kujtojmë se deklarata e kryeministrit grek u krye gjatë diskutimit në parlament për ratifikimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme që ka nënshkruar Athina me Romën dhe Kajron për Zonat Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe Italisë si dhe mes Greqisë dhe Egjiptit.(A.M/Faxweb.al)