Është më e lehtë të zhvendosësh ‘Duomo’-n se të sjellësh Mesin në Milano”. Në fund të korrikut, pas fitores së Interit kundër Napolit, Antonio Konte nuk kishte përdorur gjysmëterma. Por, tani që “Pleshti” ka vendosur të largohet nga Barcelona, rrugët janë të pafundme.
Autostrada drejt Mançesterit, me destinacion Sitin, por një rrugë dërgon në Itali, sepse ndërkohë që Leo po lufton betejën e tij për t’u liruar nga Barça, Interi po pret momentin e duhur për të hyrë në aksion. Plani është gati prej kohësh, por fillimisht Zhang dëshiron të njohë kostot.
LUFTA E MADHE – Gjatë këtyre orëve zbarkimi te Siti po bën xhiron e botës, ka telefonata nga Pep dhe Aguero, ky i fundit gati t’i dhurojë numrin 10 lojtarit të 6 “Topave të Artë”. Në skenë është edhe Katalonja, që 20 vite më parë adoptoi një djalosh të vogël dhe e shndërroi në artistin më të madh të topit bashkëkohor.
Ndërkohë, sulmuesi i ka bërë të ditur axhendën presidentit Bartomeou, i cili është gati edhe të japë dorëheqjen vetëm që të “prangosë” Mesin në Barcelonë. Një shkak më shumë ka qenë largimi i “vëllezërve” të Leos: Suarez, Vidal dhe Rakitiç. Një betejë në të gjitha aspektet, e luftuar në frontin më të gjerë, atë klauzolë gjigante prej 700 milionë eurosh që lidh argjentinasin me katalanasit edhe për një sezon.
Por Leo dhe familja e tij nënvizojnë të drejtën për t’u liruar falas, duke apeluar atë klauzolë që skadonte më 10 qershor. Në mendjen e bandës Mesi ai opsion vlen ende, meqenëse sezoni do të mbyllet më 31 gusht si pasojë e pandemisë. Në krahun tjetër blerësit e dinë mirë që kërkesat e “Pleshtit” shoqërohen nga një shifër në dalje që ende nuk është e qartë. Ja përse Interi në këtë fazë po studion lëvizjet e emirëve dhe sheikëve.
STRATEGJIA – Dikush mendon që zbarkimi i mundshëm i Vidalit në Milano është një tjetër manovër për t’u afruar me Leon. Ashtu si konfirmimi i Lautaros, aleat i çmuar për kampionin nga Rozario.
Gjithçka është pjesë e lëvizjeve të “Suning”, që me afrimin e argjentinasit do të siguronin edhe investime të rëndësishme publicitare: një bazë e çmuar nisjeje për të ndërtuar rreth Mesit një kësh- “ tjellë parash lidhur me të drejtat e imazhit. Gjatë këtyre javëve kanë dalë shumë tregues në këtë front të hapur, duke nisur nga zhvendosja e babait Horge Mesit në Milano, dy hapa larg selisë zikaltër. Benefitet fiskale të opsionit italian janë të ditura.
GUARDIOLA NË “POLE” – Përpara të gjithëve është Mançester Siti, që ka resurset financiare dhe statusin teknik për të bindur lojtarin, aq më tepër që Guardiola dhe Aguero presin me padurim ta ripërqafojnë. Aktualiteti thotë që “Pleshti” gjatë ditëve të ardhshme do duhet të gjejë rrugën e duhur për t’u larguar pa dhimbje nga Barcelona.
Është e mundur që nuk do të funksionojë karta e daljes me parametër zero. Ja përse argjentinasi po vlerëson idenë për t’iu drejtuar FIFA-s. I famshmi artikull 17 parashikon për lojtarët mbi 30 vjeç (Leo është 33) vetëm një sezon “mbrojtjeje” të kontratës. Në këtë rast parashikohet vetëm një pagesë për klubin shitës, por me shifra të pranueshme. Nga merkatoja kineze ndërkohë janë në afrim sponsorë për dhjetëra e dhjetëra miliona, të gjithë të dedikuar për Mesin, sepse “Suning” ka një “Duomo” për të zhvendosur.