Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn u sulmua sërish gjatë një tubimi. Protestuesit nisën të thërrasin: Zhduku, zhduku, ndërkohë që më herët ai është sulmuar duke e fyer dhe pështyrë.
Ky reagim i ashpër vjen në kohën kur protestat kundër kufizimeve të koronavirusit në Gjermani janë bërë shumë të ashpra. Spahn është një figurë e rëndësishme politike e konservatorëve të CDU në Gjermani.
Të shtunën ai u sulmua në Bergisch Gladbach. Pamjet tregojnë momentet kur protestuesit thërrasin: ‘turp’, ‘zhduku’ apo edhe ‘derr homoseksual’.
Ministri homoseksual është bërë figurë e urryer mes atyre që mohojnë ekzistencën e koronavirusit dhe që kritikojnë masat e izolimit. Spahn ka thënë se qeveria e tij po synon të shmangë një mbyllje të dytë totale.
Të shtunën në Berlin u mbajtën protesta masive kundër masave të koronavirusit. Mes tyre kishte edhe ekstremistë të djathtë dhe protestues kundër vaksinës së koronavirusit. Këto protesta kanë shqetësuar ndjeshëm spektrin politik në vend.
Të tjera protesta janë paralajmëruar, kurse autoritetet thonë se do e bëjnë me detyrim mbajtjen e maskës në protestë.