Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny është helmuar me Novichok. Ky është përfundimi që ka arritur qeveria gjermane.
Navalny një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht teksa po udhëtonte me një aeroplan nga Siberia drejt Moskës.
Avioni i tij bëri ulje emergjente dhe Navalny u dërgua menjëherë në spital. Pas disa ditësh ai u dërgua në një spital në Berlin, ku mjekët thanë se ai ishte helmuar.
Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel tha të mërkurën se testimet e kryera në spitalin ushtarak gjerman kanë treguar shenja ‘të një agjenti nervor nga grupi Noviçok’.
Po çfarë janë agjentët Novichok?
Emri i tij në rusisht ka kuptimin hyrje e re dhe u referohet një grupi gazesh nervore të zhvilluara në Bashkimin Sovjetik të viteve ’80-’90. Këto gaze njihen ndrushe si armët kimike të gjeneratës së katërt dhe janë zhvilluar në kuadër të programit sovjetik të koduar ‘Foliant’. Në vitin 1999, zyrtarë amerikanë të mbrojtjes udhëtuan në Uzbekistan për të ndihmuar në shkatërrimin e një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të armëve kimike të ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas njërit prej tyre, rusët e kanë përdorur këtë fabrikë për të prodhuar dhe testuar gazet e llojit Novichok, agjentë nervorë të krijuar enkas për t’u shpëtuar kontrolleve të inspektorëve ndërkombëtarë.
Një prej gazeve të këtij grupi, pikërisht A-230, raportohet se është 5-8 herë më toksik se agjenti nervor VX apo sarina. Duhet të kujtojmë këtu se XV është i njëjti gaz që u përdor për të vrarë vëllain e Kim Jong-unit vitin e kaluar.
Format në të cilat gjendet helmi Novichok
Disa variante janë të lëngshme, por mendohet se ky agjent kimik ekziston edhe në gjendje të ngurtë apo në formë pudre. Disa agjentë të kësaj natyre konsiderohen ‘armë binare’. Kjo do të thotë se veç e veç përbërësit e tyre nuk janë të rrezikshëm, por kur përzihen bëhen agjentë toksikë aktivë. Kjo e bën më të lehtë edhe transportimin e tyre, pasi përbërësit nuk janë në listën e materialeve të ndaluara. Ato mund të transportohen pa asnjë problem për personin që i mban deri në momentin që shkojnë në destinacion.
Efekt i menjëhershëm
Nëse një person thith apo kapërdin një agjent Novichok, apo edhe nëse thjesht ky i fundit bie në kontakt me lëkurën, efekti është i menjëhershëm. Simptomat nisin të shfaqen 30 sekonda deri në 2 minuta pas kontaktit. Megjithatë, varianti në formë pluhuri mund të marrë më shumë kohë për të shfaqur simptomat, të cilat ndodh të manifestohen edhe 18 orë pas kontaktit.
Simptomat janë njësoj si ato të agjentëve të tjerë nervorë
Agjentët Novichok veprojnë njësoj si agjentët e tjerë nervorë. Kjo do të thotë se fillimisht ata bllokojnë mesazhet që transmetohen nga nervat te muskujt, çka shkakton rrëzimin e të prekurit dhe bllokimin e disa funksioneve të trupit. Simptomat përfshijnë zbardhjen e syve, bebëzat zvogëlohen, nisin konvulsionet dhe në rastet më të rënda pason koma ose vdekja. Të tjera simptoma në fazat fillestare janë frymëmarrja e shpejtë, shkuma nga goja, të përzierat apo djersitja e lëkurës.
Këta agjentë kryesisht shkaktojnë ngadalësimin e ritmit të zemrës dhe ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes, duke shkaktuar vdekjen nga asfiksia.
Disa variante të Novichok-ut janë projektuar posaçërisht për t’u rezistuar antidoteve të agjentit nervor standard.
Nëse dikush ekspozohet ndaj këtyre agjentëve, ai duhet të heqë menjëherë rrobat dhe të lajë të gjithë trupin me ujë dhe sapun. Sytë duhet të shpëlahen menjëherë. /Abcnews