Video/ Cikalleshi-Bare rrëzojnë Bjellorusinë: Liga e Kombeve nis në mënyrën e duhur për Shqipërinë

0

Nëntë muaj nga ndeshja e fundit, por ishte sikur koha të mos kishte kaluar për grupin e kuqezinjve të thërritur në cështje nga Edy Reja. Tekniku italian ka patur intuitën e duhur për ti besuar gardës së vjetër, që e nxjerrin fitues në Minsk me një provë bindëse, plot personalitet, duke përligjur ambicjet për vendin e parë në Grupin C4 të Nations League. Cikalleshi në mesin e pjesës së parë dhe Bare të së dytës kanë vulosur suksesin e kuqezinjve, që pas katër ditësh do të presin Lituaninë.

Kompeticioni ka nisur në mënyrën më të mirë për Shqipërinë e Edy Rejas. Në Minsk, në transfertën me Bjellorusinë, italiani ka ruajtur modulin dhe emrat që e përbëjnë, duke u munduar të mbulonte dëmtimet dhe mungesat, por edhe për të balancuar fizicitetin e kundërshtarit, që gëzonte avantazhin e të qenit në mes të sezonit të ri, në kohën kur lojtarët kuqezi nuk e kanë nisur ende të tyren. Por përpara se diferencat fizike të ndiheshin, kuqezinjtë morën avantazhin me një perlë të Sokol Cikalleshit, që nuk i lë asnjë mundësi portierit kundërshtar. E majta e sulmuesit në minutën e 23 është precize, duke i dhënë edhe në këtë rast të drejtë 74 vjecarit, që e preferoi para Sadikut.

Me inteligjencën taktike të Rejas, kuqezinjtë reduktuan në maksimum për pjesën më të madhe kundërshtarin, por lodhja nisi të ndihet dhe italiani përdori zëvendësimet, që rezultuan efektive. Keidi Bare siguroi rezultatin për kuqezinjtë 12 minuta nga fundit i ndeshjes, pikërisht në momentin më të mirë të kundërshtarit. Një kombinim me Roshin, i sapofutur në lojë, dhe e djathta e mesfushorit (e devijuar) përfundoi në këndin e pambuluar të portierit bjellorus.

Shqipëria merr një fitore në debutimin në Nations League përballë Bjellorusisë, e tashmë duhet të bëjë llogaritë me skuadrën e fundit të grupit Lituaninë, që në ndeshjen tjetër është mundur në shtëpi nga Kazakistani.

Artikulli i mëparshëmTë gjithë e kemi pirë të paktën një herë/ Ekspertët ngrenë alarmin, ky medikament mjekësor rrit rrezikun e problemeve të zemrës dhe trurit
Artikulli i radhës“Familja ime nisi të qajë”, Leo Mesi vendos përfundimisht për të ardhmen e tij