Mbi 2/3 e amerikanëve të anketuar thanë se nuk do ta bëjnë vaksinën e Covid-19 menjëherë sa të dalë në treg, sipas një sondazhi të USA TODAY. Sondazhi, i ndërmarrë nga 28 -31 Gusht, zbuloi se rreth 67% e 1,000 të anketuarve nuk do të bëjnë vaksinën deri sa të tjerët ta kenë provuar, ose nuk do ta marrin fare. Vetëm 27% e pjesëmarrësve në sondazh thanë se do ta marrin vaksinën sapo të jetë e disponueshme.
Sondazhi tregon mosbesimin e njerëzve ndaj përpjekjes së administratës së Trump për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinës. Një i anketuar tha se nuk do ta marrë vaksinën për shkak se refuzon të jetë kavje e qeverisë. Një mjek pjesëmarrës i sondazhit ngriti dyshime mbi vaksinën e prodhuar në SHBA, për shkak se provat klinike të fazës së tretë nuk janë përfunduar ende. Sipas NBC Neës, Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i ka bërë të ditur Shteteve në muajin Gusht që të përgatiten për shpërndarjen në masë të vaksinës së Covid-19 më 1 Nëntor 2020.
Përkimi i provave klinike të papërfunduara të vaksinës me datën e zgjedhjeve presidenciale, kanë ngritur shqetësime në publik. Shumë ekspertë shqetësohen se Administrata e Barnave dhe Ushqimit do të lejojë vaksina jo të sigurta në treg, për shkak të presionit nga administrata. SHBA ka deri më tani numrin më të lartë të infeksioneve me Covid-19, duke regjistruar mbi 6.32 milionë.