Credit Suisse: Bizneset familjare, më të qëndrueshme gjatë pandemisë

0

Raporti “Credit Suisse Family 1000: Post the Pandemic” tregon se bizneset familjare vijojnë të kenë ecuri më të mirë krahasuar me bizneset jo familjare në të gjithë rajonet dhe sektorët, duke u treguar më shumë qëndrueshmëri gjatë pandemisë COVID-19.

Duke përdorur bazën e saj të të dhënave “Family 1000” me më shumë se 1000 biznese, të kuotuara në bursë, familjare ose në pronësi të themeluesve, Credit Suisse ka zbuluar se, që nga viti 2006, ky univers ka pasur një ecuri më të mirë se ai i bizneseve jo familjare, me një mesatare vjetore prej 370 pikësh bazë. Kjo performancë më e mirë ishte më e theksuar në Europë dhe Azi, përkatësisht me 470 pikë bazë dhe më shumë se 500 pikë bazë në vit.

Këtë vit, pandemia e COVID-19 ka pasur ndikim të rëndësishëm te rendimentet dhe paqëndrueshmëria e tregut të aksioneve. Bizneset familjarë priren të kenë karakteristika mbrojtëse mbi mesataren, që lejojnë një ecuri më të mirë, veçanërisht në periudha stresi të tregut. Të dhënat mbi rendimentin në gjashtë muajt e parë të vitit e mbështesin këtë këndvështrim, duke marrë në konsideratë treguesin year-to-date që shpreh një performancë rreth 300 pikë bazë krahasuar me bizneset jo familjare.

Gjetjet kryesore për bizneset familjare

Rritje dhe fitime më të larta – Analiza tregon se, që nga 2006, rritja e të ardhurave nga bizneset familjare ka kapërcyer me më shumë se 200 pikë bazë atë të bizneseve jo familjare, si për kompanitë e vogla edhe ato të mëdha. Në të njëjtën kohë, studimi tregon se sipërmarrjet familjare priren të jenë më fitimprurëse.

Performancë më e mirë në rezultatet ESG (Environmental, Social, and Corporate Governance)  – Sipërmarrjet familjare priren mesatarisht të marrin një vlerësim ESG më të lartë krahasuar me sipërmarrjet jo familjare. Kjo performancë përgjithësisht më e mirë, e forcuar në katër vitet e fundit, përcaktohet kryesisht nga vlerësimet mjedisore dhe sociale më të larta, pasi sipërmarrjet familjare duket se nuk ruajnë të njëjtin hap me homologet jo familjare në lidhje me qeverisjen.

Në nivel gjeografik, bizneset familjare europiane janë në krye të renditjes së ESG, ndërsa ato në Azi (me përjashtim të Japonisë) marrin rezultate më të mirë se ato amerikane dhe rezultatet e tyre po arrijnë me shpejtësi ato të homologeve të tyre në Kontinentin e Vjetër. Në të vërtetë, sipërmarrjet familjare aziatike i lënë pas homologet e tyre në Europë apo në Shtetet e Bashkuara për sa i përket qeverisjes.

Bizneset familjare me përvojë më të gjatë kanë rezultate më të mira ESG se sa kompanitë më të reja dhe kjo ecuri shihet në të gjithë sektorët – mjedisor, social dhe në qeverisje. Ndoshta fakti se të parat kanë procese biznesi më të konsoliduara u jep mundësinë të ndërveprojnë apo të promovojnë fusha të aktivitetit që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me proceset e prodhimit, por gjithsesi janë të rëndësishme në ruajtjen e qëndrueshmërisë së përgjithshme të korporatës.

Ndikimi i COVID-19 – Për të kuptuar më mirë karakteristikat ESG të sipërmarrjeve familjare është kryer një studim te më shumë se 200 kompani, të cilat u pyetën se sa të shqetësuara ishin në të ardhmen për COVID-19. Pavarësisht ndikimit te rritja e fitimeve këtë vit, bizneset familjare të anketuara duket se e konsiderojnë COVID-19 më pak shqetësues për perspektivat e ardhshme të kompanisë krahasuar me bizneset jo familjare. Bizneset familjare gjithashtu përdorën më pak pushimet e stafit sesa bizneset jo familjare (46% kundrejt 55%). Në mesin e bizneseve familjare, janë ndërmarrë një numër më i madh programesh mbështetëse në Azi sesa në Europë apo Shtetet e Bashkuara. Kjo mund të pasqyrojë një rritje të gatishmërisë së këtyre masave të financuara nga qeveria në këto rajone.

Ndikimi social – Sondazhi zbuloi se ndërsa bizneset familjare janë përqendruar më shumë te politikat sociale që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ato duket se nuk ruajnë të njëjtin hap me homologët e tyre jo familjarë në shumë faktorë të lidhura me çështjet ESG, në veçanti të drejtat e njeriut dhe politikat në lidhje me ‘skllavërinë moderne’.

Artikulli i mëparshëmShqipëria, ndër vendet me nivel më të ulët vetëvrasjesh në Europë
Artikulli i radhësKanadezët më të bindur se amerikanët, vendosin nën kontroll situatën e krijuar nga Covid-19