Rreth 1,210 kontrolle të kryera nga njësitë e auditëve të brendshëm të administratës publike për vitin e shkuar kanë identifikuar prokurimet, taksat e doganat, koncesionet, pronat shtetërore, legalizimet e koncesionet si sistemet më të ekspozuara ndaj riskut për korrupsion e keqmenaxhim të fondeve buxhetore. Scan Televzion ka zbardhur përmbledhjen e raportit me të dhënat e gjithë njësive të audituesve në vend. “Sistemet me risk më të lartë janë prokurimet publike, përfshirë blerjet dhe investimet, sistemi i tatim taksave, regjimi doganor, administrimi i pronës publike, legalizimet dhe privatizimet e pronës shtetërore, koncensionet, si dhe sisteme të menaxhimit të burimeve njerëzore”, theksohet në raportin përfundimtar.
Sa i përket vlerësimit të risqeve në Ministritë e Linjës, raporti rendit si sektorët me rrezik më të lartë: Sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollit; Sistemin e prokurimeve, blerjeve dhe investimeve; Sistemin e administrimit të aseteve; si dhe Sistemin e koncesioneve, ankandeve dhe administrimit të pronës.
Sa i përket risqeve në pushtetin local i pari renditet rreziku që sjell mungesa e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm, Sistemi i menaxhimit buxhetor; Sistemet e menaxhimit të burimeve njerëzore; Sistemi i prokurimeve; Sistemi i menaxhimit të aktiveve; Sistemi i kontabilitetit; Sistemi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
“Nga sa më sipër, u evidentuan sistemet e prokurimeve, detyrimeve të prapambetura dhe aseteve, të cilat vlerësohen me risk të lartë në veprimtarinë audituese të të gjitha grupimeve të analizuara”, theksohet në raportin përfundimtar me të dhënat e njësive audituese të administratës publike.