Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një fjalim në Selanik ka folur për masa të reja sa i përket mbrojtjes së vendit, në një periudhë kur tensioni mes Greqisë dhe Turqisë në lidhje me zonat detare në Mesdheun Lindor ndodhet në kulmin e tij.Ai deklaroi se në ditët e ardhshme do të nënshkruajë me qeverinë franceze blerjen e 18 avionëve luftarake Rafale, 4 fregata të reja franceze dhe rinovimin e 4 të tjerave.
Gjithashtu ai tha se do të rinovohet arsenali i këmbësorisë, marinës detare, forcave ajrore dhe gjatë pesë viteve të ardhshme do të futen në ushtri 15.000 burra dhe gra më shumë.
Sipas tij do të fillojë menjëherë futja e sistemeve te reja dixhitale dhe hibride në ushtri, me synim pajisjen e saj me sistemet më moderne të kohës.
Kryeministri grek ka akuzuar Turqinë për minimin e sigurisë dhe paqes në Mesdhe.
“Jemi një vend i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë fqinjët edhe me Turqinë. Përndryshe vetëm gjykata ndërkombëtare mund të japë një zgjidhje. Epilogu i krizave mund të bëhet prologu i diskutimeve”, – ka thënë ai.