Tregu i sigurimeve, rritet treguesi i dendësisë, 6168 lekë për frymë, dominon Tirana

0

Treguesi i dendësisë së sigurimeve ka shënuar rritje në vitin 2019 në raport me një vit më parë. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në raportin e Gjeografisë së Sigurimeve tregojnë se në vitin 2019 dendësia e sigurimeve ishte 6168 lekë për frymë. Dominimin kryesor në treg sipas prefekturave sikurse pritet e ka Tirana me 59.63 për qind të totalit të primeve çka në raport me 2018 gjithsesi tregon për një ulje të përqendrimit.

“Gjeografia e Sigurimeve 2019 pasqyron në mënyrë të detajuar shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, dëmeve të paguara si edhe primit për frymë, sipas prefekturave.

Duke analizuar shpërndarjen gjeografike të primit të shkruar bruto, vërehet një përqendrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 59.63% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2019, Durrësi me 7.51%, Fieri 5.29%, Shkodra 4.94%, Vlora 4.56%, Korça 4.72%. Kjo tendencë përqendrimi ka vijuar e tillë për një periudhë 12-vjeçare.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i tregut të sigurimeve është dendësia e sigurimeve. Për vitin 2019 ky tregues është rreth 6,168 lekë për frymë, me një rritje rreth 275 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 11,551 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 5,962 lekë për frymë dhe më tej Durrësi me 4,535 lekë për frymë, Shkodra me 4,332 lekë për frymë dhe Vlora me 4,234 lekë për frymë.

Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2019 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 74.84%, e pasuar nga prefektura Durrësi me 6.78%” sqaron AMF./monitor.al

Artikulli i mëparshëmNë shtëpi në karantinë, shqiptarët shpenzuan 54 milionë euro më pak në bare e restorante në tremujorin e dytë
Artikulli i radhësPajisje e re për testimin e covid që përdoret në kushte shtëpie