Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza për spiunazh ndaj një personi me origjinë nga rajoni i Tibetit, i cili shërbente si oficer policie i Nju Jorkut. Ai akuzohet për mbledhje informacioni në lidhje me komunitetin tibetian të qytetit, për llogari të qeverisë kineze.
Sipas aktakuzës të bërë publike të hënën, oficeri, i cili punonte në rajonin e Kuinsit, drejtohej nga anëtarët e konsullatës kineze në Nju Jork.
Përmes kontakteve të tij me komunitetin tibetian, 33-vjeçari kishte mbledhur informacione mes viteve 2018 dhe 2020 rreth aktiviteteve të komunitetit si dhe kishte identifikuar burime të mundshme informacioni.
Sipas aktakuzës, personi i cili ishte gjithashtu oficer në rezervë i ushtrisë amerikane, i kishte lejuar anëtarët e konsullatës kineze të merrnin pjesë në aktivitetet e organizuara nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut. Dyshohet se autoritetet kineze e kishin paguar atë me dhjetëra mijëra dollarë për shërbimin e tij.
Ndaj oficerit të policisë janë ngritur katër akuza, mes tyre rekrutimi dhe shërbimi për një vend të huaj prej tokës amerikane, keqinterpretimi dhe pengimi i funksionimit të një shërbimi publik.
Ai doli para një gjykatësi të hënën dhe u vendos në paraburgim, njoftoi agjencia e lajmeve AFP duke iu referuar një zëdhënësi të prokurorit federal të Bruklinit. Sipas policisë së Nju Jorkut ai është pezulluar nga detyra pa të drejtë page.
I lindur në Kinë ai kishte fituar azil politik në SHBA, duke pretenduar se ishte torturuar nga autoritetet kineze për shkak të përkatësisë etnike të tij si tibetian.
Por hetimi zbuloi se të dy prindërit e tij ishin anëtarë të Partisë Komuniste kineze.
“Nëse konfirmohet nga gjykatat, operacioni i spiunazhit tregon se Partia Komuniste kineze është e angazhuar në operacione keqdashëse për të shtypur disidentët, jo vetëm në Tibet, por në çdo vend të botës”, thane përfaqësuesit e një grupi që mbron liritë dhe të drejtat e tibetianëve I quajtur “Fushata Ndërkombëtare për Tibetin”.
Pasi lejoi që Tibeti të funksionojë në mënyrë autonome nga viti 1912 në 1950, Pekini rimori kontrollin e territorit në vitin 1951. Udhëheqësi shpirtëror tibetian Dalai Lama jeton në mërgim që nga viti 1959.