Që Sandër Lleshaj do mbajë përgjegjesi për një prej skandaleve më të mëdha që ka ndodhur vitet e fundit me rendin e policinë, ku del se kreu i OFL tregtonte për kapot e krimit informacion të rezervuar, për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Këtë e dimë nga vetë Sandër Lleshaj.
Kur u pyet për një drejtues të lartë të Policisë, lidhur me të shkuarën e tij, ministri tha se e mban ai përgjegjësinë për atë zyrtar.
E tha me gojën plot pa iu dridhur asnjë qerpik.
Po me siguri, Sandër Lleshaj ka të njëjtin standard edhe për drejtues të tjerë të atij niveli. Nuk i ndan ai sipas preferencave e emrave.
Aq më tepër, kur bëhet fjalë për kreun e OFL që është më e madhja krenari e mburrje e këtij Ministri. Për këtë OFL, Lleshaj ka thënë se po e ndjek krimin si askush tjetër më parë.
Pra është e padyshimtë që Sandër Lleshaj do ta mbajë fjalën. Fjalën e dhënë në publik që ai mban përgjegjësi për drejtuesit e policisë.
Ajo ç’ka nuk dihet është se ç’formë e ç’përmasa do të ketë kjo përgjegjësi?
Duke parë natyrën e skandalit, i bie që vetëm dorëheqja e con në vend dëmin e krijuar. Sidomos kur mësohet se në shitje nga OFL janë nxjerrë informacione të partnerëve gjermanë.
Ne kemi fjalën e Sandër Lleshajt që mban përgjegjësi. Po nuk dimë orën dhe ditën kur do ta bëjë.
Deri tani reagimi i vetëm ka qënë pezullimi i kreut të fushatës më të madhe propagandistike të qeverisë dhe Lleshajt, që është OFL.
Me siguri, s’do të mjaftohet me kaq Gjenerali.
Gjeneralët bëjnë atë që thonë. Ndaj janë gjeneralë./MAPO