Gjergj Luca, administratori i firmës së peshkut duket se nuk është mjaftuar me 3000 m2 truall dhe det në Shëngjin dhe 135 mijë m2 objekte në Elbasan e reparte ushtarake në Prrenjas.
Mësohet se tashmë i ka hedhur sytë drejt jugut ku dhe ka marrë me koncesion liqenin ‘Xarrë-Bufi’ në Butrint, me atë që quhet ‘kontrata e plotë vetëm 1 Euro’ dhënë për firmën ‘Rozafa Shpk’, nga ministri i Bujqësisë, Bledar Çuci.
Afati i koncesionit është 10 vjet, por me të drejtë përsëritjeje edhe 20 vite të tjera pa konkurrent, ndërsa duhet thjesht një rinovim letrash të kontratës aktuale.
Ky liqen është i njohur për pasuri dhe do të përdoret për peshkim artizanal dhe kultivim midhjesh si dhe do të shërbejë edhe për turizëm me anë të kanalit që e lidh me liqenin e Butrintit.
Referuar njoftimit të Ministrisë, Gjergj Luca e ka ‘fituar’ këtë koncesion, në garën e datës 17.09.2020, organizuar me dyer të mbyllura në zyrën e ministrit Çuçi, ku firma ‘Rozafa’ ‘fitoi’, ndërsa dy konkurrentë të tjerë ishin sa për të plotësuar numrin.
Ndërkohë nga ana ligjore, për të fituar këtë koncesion kërkohet një bashkim i dy firmave si ‘shoqëri’. Për të qenë konform rregullave, Luca ka bërë ortak firmën ‘Kleris B shpk’.
Mirëpo kjo firmë rezulton se nuk ka ekzistuar dhe nuk është e regjistruar fare në QKB.
Nga ana tjetër, Rama ka mbyllur një sy për këtë shkelje të hapur dhe e ka kaluar në heshtje ‘gostinë e mikut të tij peshkatar’.