Bankat kanë 48 miliardë lekë kredi me probleme; pothuajse gjysma janë të humbura

0

Sektori bankar kishte 48 miliardë lekë ose rreth 387 milionë euro kredi me probleme në mesin e këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredive me probleme ngeli pothuajse i pandryshuar gjatë 6-mujorit të parë të vitit, edhe falë pezullimit të kërkesave rregullatore për riklasifikim nga Banka e Shqipërisë; ndërkohë, stoku i kredive të këqija paraqitet në rënie të ndjeshme me 24% krahasuar me një vit më parë.

Rënia vjetore e stokut të kredIve me probleme u ndikua sidomos nga një përshpejtim i fshirjes së kredive të humbura në fund të vitit të kaluar. Kjo u ndikua kryesisht nga ndryshimet rregullative që ulën nga tre vjet në dy vjet maksimumin e kohës së qëndrimit në bilanc të kredive të klasifikuara si të humbura.

Në 12 muajt e fundit, janë fshirë rreth 8.3 miliardë lekë kredi të humbura, të përfaqësuara kryesisht nga kreditë e bizneseve në valutë. Gjithsej, që nga fillimi i procesit të fshirjes, në janar 2015, janë fshirë 65 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shumë është sa 140% e vlerës aktuale të kredive me probleme dhe jep një ide të qartë të ndikimit të madh që fshirjet kanë pasur në pastrimin e portofoleve të sektorit bankar.

Por, shqetësuese është se, megjithë fshirjet intensive, pesha e kredive të humbura në strukturën e kredive me probleme vazhdon të rritet. Në mesin e këtij viti kreditë e humbura përbënin 47.3% të kredive me probleme, nga 45% një vit më parë. Në vlerë, kjo përkthehet në 22.7 miliardë lekë kredi të humbura që qëndrojnë ende në portofolin e bankave. Sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, kredia klasifikohet si e humbur kur huamarrësi nuk ka bërë pagesa për një vit me radhë.

Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme të sektorit bankar zbriti në 8.1%, nga 8.4% që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 11.2% një vit më parë.

Kredia paraqitet më cilësore në segmentin e individëve dhe veçanërisht në segmentin e kredive për blerje banese. Ky ngelet segmenti më cilësor i huasë, me një raport të kredive me probleme në nivelin 4.4%. Ndërkohë, raporti i kredive ngelet më i lartë për bizneset, në kufijtë e 10%. Megjithatë, tendenca e raportit të kredive me probleme është në rënie edhe në këtë segment dhe fshirjet ngelen faktori me ndikimin kryesor.

Artikulli i mëparshëmPas kontratave të shitblerjes së automjeteve, DPSHTRR do të ofrojë edhe polica sigurimi
Artikulli i radhësÇfarë po ndodh në burgun e Peqinit? 170 të dënuar futen në grevë urie, ja kërkesat e tyre