Policia e Tiranës ka arrestuar një 32-vjeçar që shpërndante drogë dhe i sekuestroi 4 kilogramë kanabis.
Çfarë thotë policia
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një 32-vjeçar merrej me shitjen e lëndëve narkotike dhe lëvizte me mjet nga zona e Parkut në drejtim të rrugës “Muhamet Gjollesha”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Street”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Ardian Bylyku, 32 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte ky shtetas, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 4 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një shumë të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celular, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit A. B., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.