Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të nisë ndërhyrjet për rikualifikimin në zonën e plazhit të Palasës dhe Drimadhesit. Fondi i vënë në dispozicion për realizimin e projektit është me vlerë 525 mln lekë. Afati i dorëzimit të ofertave do të jetë 10 nëntori dhe punimet do të zgjasin 10 muaj.
Projekti parashikon ngritjen e shëtitores për këmbësorët përgjatë plazhit të Livadhit, të një parkimi publik me sipërfaqe 7,430 m2 për rezidentët e pushuesit ditorë, si dhe molit për jahtet dhe barkat. Në plazhin publik të Dhrales që ndodhet në Palasë do të ndërtohen 500 metra rrugë dhe do të ngrihet parkim publik. Në këtë objekt është përfshirë edhe një plazh publik, në të cilin janë parashikuar vendet e çadrave, dushet, tualetet dhe kulla e vrojtimit. Në plazhin e Drimadhes, sipas projektit për rikualifikimin e zonës do të ndërtohet një mol.
Për në shëtitoren përgjatë plazhit të Livadhit, projekti parashikon hyrjen në zonë nëpërmjet rrugës ekzistuese që ndahet në dy drejtime të ndryshme, për rezidentët dhe pushuesit ditorë. Hyrja e rezidentëve parashikohet të realizohet me dy bypass-e një që do të ngrihet afër plazhit, i cili është pothuajse funksional edhe sot në një pjesë të segmentit ekzistues.
Për sa i përket ngritjes të parkimit në zonën e Livadhit për pushuesit ditorë pritet të akomodojë 136 automjete (4-8 vendesh) dhe 6 autobuzë (50 vendesh).
Projekti i shëtitores, parkimit dhe rrugës në zonën e plazhit Livadh dhe plazhit publik të Dhrales nuk kanë gjurmë ekzistuese, por janë objekte të reja që do të ndërtohen në terren natyral. Në dokumentet e projektit vlerësohet se ndërhyrjet në këto zona do të transformojnë ato në shëtitore të ngjashme me bregdetin e Mesdheut, duke ndarë hyrjen e turistëve rezidentë nga ata të ditorë.