Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk do të ketë ndihma shtesë federale për linjat ajrore, pa arritur një paketë më gjithëpërfshirëse të Covid-19, duke shtuar se shpreson për një masë të stimujve më të madhe. “Nuk do të ketë një ndihmë të vetme të caktuar, pa një paketë më të madhe të stimujvve”- tha ajo. Presidenti Trump, tha dy ditë më parë se do të ndërpresë negociatat, nëpërmjet një posti në Twitter.
Pelosi tha se postimi i tij ishte surprizues. Megjithatë, ajo shprehu besim se së bashku me Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, do të mund të arrijnë një marrëveshje mbi përmasën e paketës së stimujve. Kryetarja demokrate kërkon të akordojë qindra miliardë dollarë tek qeveritë shtetërore dhe lokale, për t’i ndihmuar që t’i bëjnë ballë rënies së të ardhurave dhe heqjes nga puna të stafit, ndërkohë që pandemia godet ekonominë amerikane.
Në vend që të kalojë një paketë gjithëpërfshirëse, administrata e Trump është përqendruar në ofrimin e disa paketave të veçanta. Përveç ndihmës ndaj linjave ajrore, ata duan të japin një tjetër raund prej 1,200 dollarë pagesa direkte tek amerikanët.