Vala e dytë e shpërthimit të Covid po godet Evropën, vendet po vendosin një sërë kufizimesh të reja

0

Vendet evropiane po vendosin një sërë kufizimesh të reja, derisa vala e dytë e shpërthimit të coronavirusit po godet kontinentin.

Në të gjithë Evropën, ka pasur rritje të madhe të rasteve me coronavirus gjatë javëve të fundit, pas rihapjes së sektorëve të mëdhenj të ekonomisë si dhe shkollave e universiteteve.

Ndërsa numri i të infektuarve e kalon shifrën 100,000 në ditë, ekziston frika se pa veprim të shpejtë për të frenuar përhapjen, në javët e ardhshme spitalet do të mbingarkohen.

Deri më tani, nivelet e vdekjeve kanë qenë shumë më të ulëta sesa në mars dhe prill, por shifrat janë duke u rritur ashtu si edhe numri i personave të shtruar në spital.

Në rajonin e Evropës, epiqendra e shpërthimit është Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Spanja, Franca dhe Republika Çeke, por vendet e tjera gjithashtu po përgatiten për një valë të dytë.

Më 11 tetor numri i të infektuarve në Rusi shënoi një rekord të ri, për një periudhë 24-orëshe, me mbi 13,000 raste të reja të konfirmuara. Ky vend ka shifrën e katërt më të lartë në botë, me gati 1.3 milion të infektuar dhe mbi 22,500 vdekje.

Autoritetet ruse kanë raportuar mbi 10,000 raste të reja çdo ditë këtë javë, por thonë se nuk kanë plane për të vendosur një izolim mbarëkombëtar të dytë. Rusia ka hequr shumicën e kufizimeve të vendosura në pranverë.

Franca po regjistron më shumë se dyfishin e numrit të të infektuarve që kishte gjatë kulmit të pandemisë evropiane në prill, me një mesatare ditore prej rreth 20,000 rastesh.

Në Paris dhe disa qytete të tjera janë mbyllur kafenetë dhe lokalet. Numri në rritje i të infektuarve dhe të shtruarve në spital po shkakton stres edhe te punonjësit francezë të kujdesit shëndetësor.

Një studim i botuar më 11 tetor nga “Urdhri Kombëtar i Infermierëve” sugjeroi që një numër i konsiderueshëm i të anketuarve ndihen të lodhur dhe të dëshpëruar, me 37 për qind thonë se pandemia e coronavirusit po ua ngjallë dëshirën që ta ndryshojnë punën.

Qeveria çeke gjithashtu do të forcojë masat e coronavirusit përsëri më 14 tetor, tha kryeministri Andrej Babis, përmes një video-mesazhi.

Ministrja e Financave, Alena Schillerova, tha se qeveria u përpoq të shmangte bllokimin e plotë që vendi përjetoi në pranverë.

Ky vend ka regjistruar rritjen më të shpejtë të rasteve të reja të të infektuarve në Evropë. Kjo ka ngritur shqetësime se spitalet së shpejti mund të mbingarkohen.

Sllovakia fqinje njoftoi gjithashtu se do të vendosë masa të reja të kufizimit duke filluar nga 15 tetori, duke përfshirë mbajtjen e detyrueshme të maskave në të gjitha qytetet, qytezat dhe fshatrat.

Duke filluar nga 12 tetori, të gjitha shkollat e mesme në të gjithë Sllovakinë do të ofrojnë vetëm mësim në distancë.

Në Greqi, janë vendosur kufizime të reja në numrin e njerëzve të lejuar brenda restoranteve, muzeve dhe vendeve arkeologjike.

Italia dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu po përgatisin vendosjen e kufizimeve të reja në mbarë vendin.

Britania e Madhe është përballur me shpërthimin më vdekjeprurës në Evropë, me më shumë se 42,750 vdekje.

Gjermania kishte arritur të mbante nën kontroll numrin e të infektuarve dhe vdekjeve të reja, por numri ditor i rasteve të reja është rritur në periudhën e fundit.

Kjo ka detyruar disa qytete dhe rajone gjermane të marrin masa më të rrepta kundër përhapjes së coronavirusit. /REL/

Artikulli i mëparshëmBelgjika, vendi i dytë më i goditur nga koronavirusi në Evropë, në dy javët e fundit
Artikulli i radhësGreqia paralajmëron ‘përshkallëzimin e madh’ ndërsa anija turke rinis punën për kërkime të reja në Mesdhe