Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur pa masa ndëshkuese hetimin e thelluar në tregun e telefonisë celulare. Hetimi u hap në shkurt të këtij viti, pasi të tre operatorët celularë rritën brenda një periudhe të shkurtër çmimin e paketave 30 ditore dhe vlerën minimale të rimbushjeve për përdoruesit me parapagesë.
Nga hetimi i thelluar, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se veprimet e mësipërme përbëjnë sjellje të bashkërenduar, sipas parashikimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Autoriteti është referuar në vendim te neni 4 i ligjit, që përkufizon marrëveshjet e ndaluara dhe përcakton se “ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.
Pavarësisht nga kjo, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur masa ndëshkuese, por ka preferuar të përdorë si mekanizëm rregullues marrjen e angazhimeve me shkrim nga tre ndërmarrjet që veprojnë në tregun e komunikimeve celulare.
Angazhimet e ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, të miratuara nga Autoriteti i Konkurrencës, kanë në fokus të përbashkët transparencën ndaj konsumatorëve dhe institucioneve mbikëqyrëse, paketa me çmime të përballueshme për përdoruesit me të ardhura më të ulta dhe ofrim i një kapaciteti më të madh të internetit nga rrjetet celulare.
Në periudhën kohore 30 Janar – 11 Shkurt 2020, të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë, me një rritje çmimi prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje, nga 100 në 200 lekë.
Më datë 14 shkurt, Autoriteti i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së përkohshme për ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë. Operatorët e respektuan vendimin, duke i tërhequr paketat e reja. Zbatimi i masave të përkohshme mund të jetë marrë parasysh nga Komisioni i Konkurrencës në vendimin final të hetimit për të mos aplikuar gjobë ndaj tre ndërmarrjeve, pavarësisht konstatimit të ekzistencës së një sjelljeje të bashkërenduar.