Nga 1 Janari 2021, bizneset do t’i nënshtrohen një mënyrë të re të raportimit pranë administratës tatimore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se në e-Albania është publikuar Portali “SelfCare”, në versionin Test dhe Live, ku aplikimi nëpërmjet këtij portali do të jetë i nevojshëm për të kryer procedurat e raportimit për fiskalizimin nga të gjithë tatimpaguesit.
Tatimet u bëjnë apel bizneseve që fillimisht të përdorin versionin Test, me qëllim familjarizimin me funksionalitet e implementuara si dhe kryerjen e veprimeve testuese pa asnjë efekt në raportimin tatimor. Ndërkohë që, në versionin “Live” do të mund të kryen të gjitha veprimet e nevojshme për raportimet e fiskalizimit për të dhënat e njësisë së biznesit, operatorit, faturat e fiskalizuara, çeljen e arkës, etj.
Administrata tatimore ka publikuar edhe udhëzimet përkatëse për subjektet, në rastin e raportimeve test apo live, se si mund të regjistrohen në portalin “Self Care” përmes e-albania dhe të kryejnë veprimet e nevojshme.