Vajza e Bruce Willis dhe Demi Moore, Scout Willis, zbuloi pse prindërit e saj të divorcuar janë izoluar në të njëjtën shtëpi gjatë pandemisë së koronavirusit.
Pak kohë më parë, aktori i “Die Hard” postoi një foto përbri ish-bashkëshortes, Scout dhe të dashurit të motrës së saj, Tallulah Willis, Dillon Buss. Fotoja u bë virale.
Të gjithë kishin veshur pizhama të njëjta, por gruaja e Bruce Willis, Emma Heming Willis, dhe dy vajzat e tyre – Mabel dhe Evelyn – nuk shiheshin kund.
Në një intervistë, Scout sqaroi se Emma kishte në plan t’u bashkohej në Idaho, por një emergjencë shëndetësore e bllokoi në Los Angeles.
“Njerka dhe motrat e mia të vogla do të qëndronin me ne, por Evelyn u shpua pa dashje me një gjilpërë në këmbë dhe iu desh të shkonte te mjeku,” tha Scout.
Teksa prisnin rezultatet e analizave, gjendja u përkeqësua dhe Emma me vajzat ngecën në LA, teksa Bruce u nis për në Idaho, për t’u izoluar me ish gruan dhe fëmijët.
Demi Moore dhe Bruce Willis u martuan në 1987-n dhe u ndanë në vitin 2000. Ata kanë ruajtur raporte miqësore. Willis u martua me Emma në vitin 2009/ CNN