Nëndrejtorin e ISHP-së, Dritan Ulqinaku tha se situata është e frikshme dhe mjaft dinamike, pasi mund të ndryshojë tmerrësisht shpejt dhe brenda ditëve mund të kemi dyfishim të rasteve ose mbi 500 raste në ditë nëse qytetarët nuk mbrohen.
“Maska është një sensibilizim detyrues pasi po afron një stinë që ka filluar e frikshme. Ka një rritje të jashtëzakonshme në të gjithë Europën jo vetëm tek ne. Situata ndoshta nuk ka të bërë shumë me numrat se sa me gjendjen e rënduar të atyre që janë të shtruar. Situata është shumë dinamike dhe kësaj i ruhemi. Shumë shpejt mund të kemi dyfishim të rasteve ditore, mbi 500 raste pasi kemi të bëjmë me një infeksion respirator që përhapet shumë shpejt. Edukata e sjelljes është e domosdoshme ndaj këtij virusi, edhe me një cedim të vogël mund të kthehesh në një pacient shumë shpejt”, tha Ulqinaku për Report Tv.