Është afruar momenti i El Clasicos, pasi dy skuadrat më të mëdha spanjolle Barcelona dhe Real Madrid takohen të shtunën me fillim nga ora 16:00.
Si Barcelona ashtu edhe kampioni në fuqi, Real Madrid në këtë takim vijnë pas humbjeve të pësuara javën e kaluar.
Katalunasit u mposhtën në udhëtim 1-0 te Getafe, teksa Reali befasoi të gjithë me disfatën në shtëpi nga Cadiz me rezultat të njëjtë.
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ka folur për këtë sfidë, teksa thotë se të dyja skuadrat kanë presion.
“Unë mendoj se ka shumë presion mbi të dyja ekipet. Paraqitja nuk varet nga rezultati i ndeshjes së fundit, as për ne dhe as për ata”.
“Real Madridi mund të mos ketë qenë në nivelin e duhur në dy ndeshjet e fundit, por kjo nuk do të thotë se do të vijë me një moral të ulët në “Camp Nou””.
“Është një ekip i madh, me mjaft përvojë, që di si ta trajtojë presionin. Ata e dinë se duhet ta fitojnë ndeshjen. Unë nuk mendoj se të bardhët janë të ndikuar nga ajo që ka ndodhur kohët e fundit”, tha Koeman.
Holandezi tutje theksoi se synon që ta fitojë këtë derbi, pasi do t’i shërbente futbollistëve të tij për t’i dhënë besim.
“Është e rëndësishme, sepse ndeshjet fituese të japin besim. Lojtarët e meritojnë atë për punën që po bëjnë çdo ditë. Po tregojnë shumë ambicie, edhe me një sistem tjetër”.
“Unë nuk kam asnjë ankesë, djemtë kanë treguar uri dhe ambicie. Një klasike është gjithmonë diçka më shumë dhe ne duam ta fitojmë ndeshjen në shtëpi, të kemi besim dhe të tregojmë se jemi në rrugën e duhur”, tha ndër të tjera trajneri holandez.