KLGJ publikon lajmërimin e rëndësishëm: Më 27 Prill rinis puna në të gjitha gjykatat në vend, do respektohen rregullat ndaj Covid-19

0
68617bb4fb2ef5fc3e7f56f19d172a44 Xl

Këshilli i Lartë Gjyqësor me anë të një lajmërimi për mediat ka bërë me dije se më datë 27 prill 2020 do të rinisë puna në të gjitha gjykatat e vendit.

KLGJ thotë se punonjësit nëpër gjykata do të respektojnë të gjitha masat ndaj Covid-19, kurse shton se fillimisht do të mbahen gjyqet më të ngutshme, ndërsa më tej edhe ata që janë pezulluar për momentin.

Njoftimi i KLGJ:

Të dashur bashkëqytetarë!
Në vijim të vendimit që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë në datën 27 prill 2020, në interes të informimit të vazhdueshëm të publikut dhe të medias, sqarojmë si më poshtë:

Ditën e hënë, datë 27 prill 2020, gjykatat do të rifillojnë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë të kufizuar, sipas dhe në respektim të përcaktimeve të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.

Seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat.

Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë ngutshme. Ato do të kryejnë edhe çdo aktivitet tjetër gjyqësor që nuk kufizohet nga fusha e veprimit të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, si dhe që është i mundur të kryhet në kushtet e kufizimeve të vendosura për popullatën në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Ju lutemi të paraqiteni pranë gjykatave VETËM nëse keni një çështje të ngutshme, kur diçka e tillë ju është komunikuar prej personelit të gjykatës. Nëse nuk ju kanë kontaktuar nga gjykata, komunikoni me gjykatën nëpërmjet telefonit/postës elektronike (e-mail), përpara se të paraqiteni fizikisht pranë saj.

Të gjitha gjykatat duhet të respektojnë rigorozisht masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në këto masa përfshihen dezinfektimi, pastrimi i rregullt, mbajtja e distancës prej 2 metrash midis të gjithë individëve në gjykatë, si midis personelit gjyqësor, ashtu edhe përdoruesve të gjykatës, marrja e masave për pajisjet mbrojtëse personale, si maska, doreza, etj. Në lidhje me këto, Këshilli po përgatit rregulla të hollësishme.

Një komision i posaçëm është krijuar dhe po punon intensivisht për për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Qëllimi i hartimit të planit të punës është rikthimi iveprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në mënyrë graduale, duke patur si prioritet mbrojtjen sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave.

Pas marrjes së vendimeve, Këshilli do vijojë publikimin e përditësimeve përkatëse. Këshilli do të punojë me çdo gjykatë sipas nevojave, si dhe do të përgatisë një plan veprimi dhe udhëzime për të vënë sërish në punë gjithnjë e më tepër elementë të shërbimeve gjyqësore në të gjithë vendin, në rrugën më të sigurt të mundshme.

Shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë është po aq e rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron shëndet dhe siguri!

Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:
Faqet zyrtare të Gjykatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)
Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )
Dhoma Kombëtare e Avokatisë (http://www.dhka.org.al)

Artikulli i mëparshëmKlosi: ‘Pushimet s’do jenë njësoj’ Vera do shënojë rihapjen e jetës sociale, por ja masat me të cilat shoqërohet
Artikulli i radhësKLP mban mbledhje online. Caktohen drejtuesit e përkohshëm të prokurorive në rrethe