Pas emocioneve të Champions është radha e kompeticionit tjetër të UEFA-s, Europa League, të shfaqë potencialin e saj me raundin e dytë të fazës së grupeve. Roma në Grupin A kërkon të mos bëjë hap fals, kur të presë në shtëpi SCKA e Sofjes. Kumbulla, pas dy golave radhazi, krijon një stabilitet komod për Fonseca, që po i beson gjithnjë e më shumë qendërmbrojtësit shqiptar. Verdhekuqtë duket se nuk kanë rival në grupin e tyre, por këtë duhet ta tregojnë në fushë.
E njëjta situatë vlen edhe për Arsenal. Në Grupin B, londinezët e Arteta shpresojnë të shkojnë në përballjen direkte me Molde në pikë të njëjta, kështu që në Emirates nuk do të ketë alternativa për Gunners kur përballë të kenë Dundalk. Nuk është kundërshtari që vë në mendime anglezët, por që kërkojnë të respektojnë kompeticionin, edhe duke bërë turnover të lojtarëve.
Napoli ka punën më të komplikuar ndër pretendentët, pas hapit fals të bërë me AZ në debutim. Tani skuadra e Gattuso duhet të fitojë me cdo kusht në transfertë me Sociedad, që është edhe skuadra më e fortë e grupit F. Spanjollët kanë fituar ndeshjen e parë në Rijeka dhe tani kërkojnë të fundosin italianët dhe të sigurojnë kreun e grupit.
Milan në Grupin H ka marrë statusin e favoritit, pasi shkoi të dërrmonte Celtic në skoci. Kuqezinjtë që kanë një ecuri impresionuese në periudhën post-lockdoën kanë marrë barazimin e parë sezonal në kampionat me Romën dhe duan ti kthehen fitoreve, kur përballë të kenë Spartën e Pragës. Ish-sulmuesi i Skënderbeut Olainka nuk është frikësues për të besuarit e Piolit, që po dëshmojnë kualitet jo vetëm me Ibrahimovic.
Në Grupin J është edhe Tottenham i Mourinhos që kërkon të marrë fitoren e dytë radhazi kur përballë të ketë skuadrën e Antëerp që ka fitore në ndeshjen e parë. Special One nuk do rivalë në grup dhe kjo ndeshje do ti diferencojë londinezët, ambicjet e të cilëve janë shumë më të mëdha se thjesht kalimi i grupit.