Europa ka rikuperuar humbjet në tremujorin e tretë të këtij viti, pas rënies së thellë në të dytin, si rrjedhojë e kufizimeve të Covid-19.
Por sërish, ekonomia e vendeve të Bashkimit Europian dhe Eurozonës ra edhe në tremujorin e tretë në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Në tremujorin e tretë 2020, PBB-ja e rregulluar sezonale u rrit me 12.7% në zonën e euros dhe me 12.1% në BE, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas një vlerësimi paraprak të publikuar nga Eurostat, zyra e statistikave të Bashkimit Evropian.
Kjo është rritja më e fortë deri tani që nga fillimi i serive kohore në 1995 dhe një rimëkëmbje pas rënies së fortë në tremujorin e dytë 2020, kur PBB-ja ishte ulur me 11.8% në zonën e euros dhe me 11.4% në BE.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, PBB-ja e rregulluar sezonalisht ra me 4.3% në zonën e euros dhe me 3.9% në BE në tremujorin e tretë të vitit 2020, e cila përfaqëson një rimëkëmbje të pjesshme pas tkurrjes -14.8% dhe -13.9% përkatësisht në tremujorin e mëparshëm.
Midis Shteteve Anëtare, për të cilat ka të dhëna të disponueshme për tremujorin e tretë 2020, Franca (+ 18.2%) regjistroi rritjen më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndjekur nga Spanja (+ 16.7%) dhe Italia (+ 16.1%).
Lituania (+ 3.7%), Çekia (+ 6.2%) dhe Letonia (+ 6.6%) regjistruan rritjen më të ulët. Ndërsa tremujori i tretë shënoi përmirësime në krahasim me të dytin, ecuria vjetore ishte akoma negative. Italia u tkurr me 4.7% me bazë vjetore, Austria me 5.3%, Gjermania me 4.2%.