KF Tirana ka shkarkuar trajnerin Emmanuel Egbo pas eleminimit të turpshëm nga Kupa e Shqipërisë prej një ekipi të Kategorisë së Parë si Korabi i Peshkopisë.
Tirana në një njoftim në FB shkruan se vendimi për Egbo është marrë pasi ndeshjet e fundit ka pasur rezultate të munguara dhe ecuri jo të mirë.
Kujtojmë se Tirana me në krye Egbo arriti të risjellë tek bardheblutë titullin kampion të Superligës. Tirana u konfirmua kampione për herë të 25-të në histori më 19 korrik, teksa sot pa mbushur as 4 muaj nga dita e lavdishme Tirana shkarkon trajnerin nigerian.
STATUSI NGA KF TIRANA
Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo.
Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara.
Klubi e falenderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi.
Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të vecantë të suksesit në sezonin e shkuar njëriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!