Fondet e investimit tentojnë të rrisin kthimet, shfaqin oreks për investime me rrezik më të lartë

0

Shoqëritë administruese të fondeve të investimit po zgjerojnë gradualisht horizontin drejt investimeve me rrezik më të lartë.

Muajin e kaluar kompania Raiffeisen Invest licencoi fondin e dytë të investimeve në euro, të quajtur Raiffeisen Miks. Në dallim nga fondi i parë, Raiffeisen Invest Euro, që investon kryesisht në obligacione të korporatave dhe qeverive të huaja, fondi më i ri do të angazhohet pjesërisht edhe në investimet në aksione.

Sipas informacionit nga Raiffeisen Invest, fondi Raiffeisen Miks do të përfshijë 3 kategori asetesh: tituj borxhi obligacione, aksione dhe instrumente të tregut të parasë. Fondi është dizenjuar për atë kategori investitorësh, të cilët kanë nevoja të ulëta likuiditeti dhe një horizont investimi të paktën 5 vjeçar, si dhe janë të gatshëm të marrin përsipër risqet e listuara në prospektin e fondit kundrejt potencialit të një kthimi të kënaqshëm nga investimi.

Fondi Raiffeisen Miks është në kategorinë e katërt të Profilit të Rrezikut dhe Përfitimit. Treguesi i rrezikut dhe përfitimit përdoret për të renditur fondin në një nivel rreziku nga 1 deri në 7, sipas rritjes të luhatshmërisë. Për krahasim, fondi Raiffeisen Invest Euro e klasifikohet në kategorinë e tretë, sipas profilit të rrezikut.

Raiffeisen Miks bëhet kështu fondi i dytë në Shqipëri që do të ofrojë alternativën e investimit në aksione, pas WVP Top Invest. Ky fond është licencuar në vitin, por ngelet në përmasa modeste. Në fund të shtatorit, ai kishte rreth një milionë euro asete neto, për një numër total prej 203 anëtarësh.

Ndërsa fondi tjetër i investimeve në euro, Raiffeisen Invest Euro, në fund të shtatorit numëronte afërsisht tremijë anëtarë dhe një vlerë aktivesh neto prej afërsisht 70 milionë eurosh.

Shqipëria është ekonomi me një shkallë të lartë euroizimi, por tregu i brendshëm nuk ofron shumë alternativa të investimit financiar për euron. Interesat e depozitave janë shumë afër zeros dhe fondet e investimit po tentojnë të tërheqin ata individë që duan të provojnë të sigurojnë fitime nga kursimet në euro. Por, periudha aktuale nuk është shumë e favorshme për të siguruar kthime të mira nga investimet në fonde. Të dy fondet në euro, Raiffeisen Invest dhe WVP Top Invest raportojnë kthime negative nga investimi. Sidoqoftë, drejtuesit e shoqërive administruese e vënë theksin te fakti se investimi në fonde duhet parë si një alternativë që tenton të sigurojë fitime për periudha afatgjata.

Nevoja për diversifikim është një çështje që shtrohet gjithnjë e më shumë edhe për fondet e investimit në lekë. Shoqëritë administruese po kërkojnë t’iu lejohet investimi në obligacionet e kompanive shqiptare. Deri tani, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk e ka lejuar një gjë të tillë, sepse për obligacionet me ofertë private nuk ka aktualisht një treg të mirëfilltë dytësor, ndaj për to nuk mund të përcaktohet një vlerë ditore tregu. Një rregullore e miratuar në muajin gusht nga AMF i hap rrugë tregtimit të obligacioneve me ofertë private në bursën ALSE, por nuk është e qartë nëse AMF do t’iu lejojë fondeve investimin në këto instrumente./monitor.al

Artikulli i mëparshëm“Nuk ndjej asgjë”! Eneda Tarifa infektohet me koronavirus: Ndihem keq, po pi kafe por nuk e di çfarë shije ka!
Artikulli i radhësQytetet më të shtrenjta në botë për të jetuar gjatë pandemisë së Covid-19