Ditën kur kompania AstraZeneca, e cila po prodhon një vaksinë kundër koronavirusit së bashku me Universitetin e Oksfordit, lajmëroi se vaksina e tyre ofron 70 përqind mbrojtje, pati një zhgënjim të lehtë. Kjo për shkak se vaksinat e Pfizer dhe Moderna ofronin 95 përqind mbrojtje.
Kompania AstraZeneca thotë se do ribëjë testimet e plota dhe shumë shpejt do nxjerrë rezultatet e reja pasi aksionet e kompanisë ranë në bursë dhe historia u komplikua edhe më shumë sepse ekspertët nisën të kishin dyshime për vërtetësinë e rezultateve të para.
Sipas ‘The Guardian’ një analist amerikan u shkroi një letër investitorëve ku thuhej se ‘ne besojmë se ky produkt nuk do të licencohet kurrë në SHBA’. Më tej theksohet se kompania ka tentuar të zbukurojë rezultatet.
Dyshimet lindën pasi kompania tha se mbrojtja shkonte deri në 90 përqind te ata persona që morën aksidentalisht gjysmë doze në fillim dhe më pas një dozë të plotë. Kur u pyet për këtë aksident, kompania tha se nuk ka ndodhur me asnjë person mbi 55 vjeç. Kjo shtoi shqetësimet se një faktor që ndikoi rezultatin mund të ishte mosha e re e vullnetarëve në testim.
Për më tepër, shkencëtarët nuk e kishin një shpjegim se përse mbrojtja shkonte 90 përqind kur merrej gjysmë doze në fillim. Të tjerë ekspertë thanë se në testime nuk janë përfshirë grupe të ndryshme etnike, gjinore dhe moshash.
Çdo vaksinë me mbrojtje mbi 60 përqind mbrojtje zakonisht merr miratimin e autoriteteve. Ndërkohë, kjo vaksinë pritej me entuziazëm pasi do jetë e lirë, rreth 3 USD për dozë, dhe ruhet në frigoriferë normalë, çka e bën shpërndarjen më të lehtë.