Facebook do të nxjerrë në treg një platformë që do ti bëjë konkurrencë të Zoom dhe lejon deri në 50 njerëz të flasin në video call në të njëjtën kohë.
Platforma e quajtur Messenger Rooms, lejon këdo që ka një profil në Facebook të organizojë një mbledhje dhe të ftojë miqtë, edhe nëse miqtë nuk janë përdorues Facebook-u. Konferencat përmes videove janë kthyer në diçka të përditshme tani që njerëzit janë izoluar në shtëpi. Në këtë mënyrë, shumë prej nesh vijojnë të punojnë, të ndjekin orët e mësimeve, të flasin me familjen dhe miqtë.Zoom u bë menjëherë popullore për këtë arsye. Deri më sot, ka 300 milionë përdorues në ditë.
Facebook ka mundësi t’i shërbejë një audience më të madhe. Messenger dhe WhatsApp, të dyja të zotërurara nga Facebook, kanë regjistruar 700 milionë përdorues që telefonojnë me zë ose video. Mark Zuckerberg njoftoi të premten se mundësia për të folur me video “është bërë shumë e rëndësishme gjatë pandemisë.” Përtej videokonferencave për punë, ai tha se “ka edhe përdorime sociale, në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.”
Messenger Rooms ngjason me Zoom në dizajn dhe funksionon në të njëjtën mënyrë. Pjesëmarrësit mund t’i bashkohen bisedës pa shkarkuar aplikacionin. Përdoruesit e Facebook do të njoftohen për “dhomat” që kanë krijuar shokët e tyre dhe mund t’u bashkohen nëse duan. Messenger Rooms do të jetë i aksesueshëm në gjithë botën brenda pak javësh.