Faza në vazhdim e reformave në drejtësi e zyrtarizuar me Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2016-2020 (SND I) do të përfundojë në fund të vitit 2020, shkak për të cilin Ministria e Drejtësisë sapo ka vendosur të formulojë një fazë të re për 5 vitet e ardhshme. Në analizën që i paraprin Dokumentit Konceptual Strategjik për vitet 2021-2025 Ministria e Drejtësisë e përkufizon të suksesshme ecurinë e reformës, megjithëse nënvizon një seri problemesh. Një vlerësim afatmesëm i kryer nga grupi ‘task force’ i MD-së me ndihmën e konsulentëve të pavarur konkludon se gjatë fazës aktuale të reformës 2016-2020 është arritur përparim thelbësor, megjithatë, shumë çështje ende mbeten për t’u trajtuar.
Gjithsesi, Ministria identifikon një seri problemesh, të cilat kanë të bëjnë me mungesën e aksesit në drejtësi, perceptimin e nivelit të lartë të korrupsionit (kjo konfirmohet tashmë nga më shumë se gjysma e magjistratëve në detyrë që janë shkarkuar nga detyra për moskalimin e kritereve të vetting), efikasiteti i ulët dhe numri i madh i seancave në secilin rast, transparencë e ulët, tendencë e lartë për dhënien e dënimit me burgim duke përfshirë paraburgimin, shkelje e të drejtave të njeriut në sistemin e paraburgimit, etj.
Në dokument vërehet se pritshmëritë janë që pas 4-5 vitesh shqiptarëve t’u ofrohet drejtësi e standardeve evropiane, ndërkohë që ajo që mund të thuhet me siguri është se reforma do t’u kushtojë shtrenjtë xhepave të shqiptarëve edhe për 5 vitet e ardhshme. Në document përshkruhen disa opsione, që kanë të bëjnë veçanërisht me fondet që do të investohen në sistemin e drejtësisë. Njëri prej opsioneve parashikon investime në harkun e 50-57 milionë eurosh. Ndërkohë që më i mundshmi duket se është opsioni që parashikon një nivel shpenzimesh prej 100 milionë eurosh. Për t’u nënvizuar është se deri në vitin 2020, Reforma në Drejtësi u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve rreth 100 milionë euro, për shkak të rritjes së investimeve, krijimit të organeve të reja, por veçanërisht për shkak të pagave të reja të gjyqtarëve e prokurorëve, të cilat nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, pas 1 janarit 2019, kërcyen në 280 deri në 380 mijë lekë në muaj./SCAN