Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi është përfshirë në debate me Malin e Zi pasi i kërkoi Podgoricës të tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit të Serbisë Vladimir Bozovic.
I dërguari i Beogradit e quajti bashkimin e Malit të Zi me Serbinë në vitin 1918 si “çlirim”. Kaq mjaftoi që qeveria malazeze t’i kërkojë të largohet menjëherë nga vendi.
Të njëjtin vendim mori edhe Serbia si kundërpërgjigje, duke dëbuar ambasadorin malazez Tarzan Milosevic. Por pas ndërhyrjes së komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, kryeministrja Ana Brnabiç njoftoi revokimin e urdhrit. “Unë e mirëpres vendimin e qeverisë së Serbisë për të tërhequr urdhin e dëbimit të ambasadorit malazez. I bëj thirrje në të njëjtën kohë Malit të Zi të bëjë të njëjtën gjë. Respekti, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë baza të zgjerimit të BE,” tha Varhelyi.
Kaq mjaftoi që në drejtim të Komisionerit europian të lëshohen një varg akuzash e sharjesh, madje edhe ato për ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi.
Kryeministri i mandatuar malazez Zdravko Krivokapic e kritikoi vendimin e qeverisë në largim për dëbimin e ambasadorit serb dhe tha se po kërkohet thellimi i përçarjes midis serbëve dhe malazezëve.
Zoti Krivokapic që pritet ta marrë zyrtarisht detyrën këtë javë, do të drejtojë një koalicion partish pro serbe.
Ai është zotuar të nxisë politikën e marrëdhënieve të mira me Beogradin bazuar në “mos ndërhyrjen në çështjet e brendshme të njëri tjetrit”./ ora