Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, ka analizuar situatën e bardhebluve, të cilët nuk po arrijnë të sigurojnë lojë e rezultate të denja për një ekip kampion.
Në “Rubrika Sportive” ai ka analizuar gjendjen e këtij ekipi, duke u ndalur te fakti që sipas tij hidhen në fushë lojtarë që nuk kanë cilësitë e duhura për pretendimet e Tiranës.
“E nisi mirë, ekipi është me oshilacione, lojë me shumë defekte. Nuk kishte asgjë më shumë se Kastiroti, çdo gjë ishte e barabartë në fushë, herë e merrte një ekip e herë një tjetër. Madje Kastrioti ishte më i ekuilibruar dhe me më shumë personalitet, diti të reagojë edhe pse pësoi golin. Por Tirana ka shumë probleme. Ka probleme te loja, te lojtarët që luajnë, që janë të dëmtuar.
Ata që luajnë nuk kanë gjendje, luajnë disa lojtarë që nuk japin asgjë. Pavarësisht se i është dhënë mundësia Halilit të luajë se mungon Kale, ka tre ndeshje që zëvendësohet, për lojë jo të mirë. Ai mundohet, por nuk ka cilësi. Një sulmues nuk të fal aty kur del para portës, ka probleme me këto lloj lojtarësh.
Trajneri duhet të shohë, të vendosë lojtarët që janë në momentin e mirë, që kanë besimin e gjendjen fizike, i shërbejnë ekipit, nuk është problem për emra. Jo se është Halili, përmenda një djalë të ri që e kemi vlerësuar, por të jepet mundësia e duhet shfrytëzuar se të ishte Kale do luante 10 minuta. Plus ndonjë tjetër që nuk po e përmend.
Kjo skuadër ka shumë oshilacione. E para është që trajneri duhet të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, por kjo nuk është në dorë të tij, se ka dëmtime, është pandemia. Me sa di unë Çelhaka ka muskujt e barkut, kam pasur shumë futbollistë kështu e i kemi munduar duke luajtur një ndeshje po e tre jo. Vetëm ndërhyrja kirurgjikale e shpëton, për dy muaj e ke në fushë.
Janë të gjitha gjërat që mblidhen kur të gjitha në një skuadër funksionojnë për të dalë kampion, se është grupi, pagesat, të gjitha duhet të funksionojnë mirë. Ka bërë hapa mbrapa në këtë drejtim”, tha Muça.