Të gjitha enigmat/ Çfarë po mbulohet me hetimin gjysmak të vrasjes së Klodianit?

    0

    Janë dhjetëra të rinj në kryeqytet, mes tyre edhe adoleshentë, të cilët janë shoqëruar nga policia. Deri tani 12 janë nën hetim për protestat e mëdha të dy ditëve të fundit.

    Gjithashtu policia e Lezhës njofton se ka nisur hetimin për 15 qytetarë, të cilët protestuan të enjten në këtë qytet për vrasjen e Klodian Rashës. Po ashtu 9 të tjerë po hetohen në Korçë dhe 7 të tjerë në Bulqizë, vetëm sipas të dhënave zyrtare të deri tanishme.

    Të gjithë këta po hetohen për kundërvajtje dhe protesta të jashtëligjshme, të bëra si pasojë e një ekzekutimi nën petkun e uniformës së shtetit.

    Si pasojë e kësaj ngjarje të rëndë, deri më tani është arrestuar dhe po hetohet polici i repartit “Shqiponja”, Nevaldo Hajdëraj.

    Por sipas të dhënave të fundit, po del se nuk kemi të bëjmë thjesht me një ekzekutim individual dhe të veçuar nga Hajdaraj, por me një krim të organizuar (pavarësisht motiveve) gjatë dhe pas ngjarjes.

    Këtë të enjte nga ekspertiza kriminalistike u konkludua zyrtarisht, se pistoleta e gjetur në rrugicën ku u vra Klodian Rasha nuk i përket atij.

    Atëherë le t’i marrim gjerat me radhë.

    Klodiani është qëlluar prapa shpine dhe me dy plumba. Ekspertiza mjekoligjore arriti në konkluzion se përveç plagëve nga qitja, ai ka hematoma të rënda në pjesën e kokës dhe fytyrës, të cilat tregojnë se përpara se të vritej është dhunuar, ose është përplasur fort në tokë.

    Në njoftimet e para të policisë thuhet se në atë zonë ka qenë me shërbim një patrullë e “Shqiponjave” dhe dy policë janë vënë në ndjekje të Klodianit.

    A janë marrë nën hetim policët e patrullës dhe zinxhiri komandues i repartit?

    A janë marrë në pyetje dhe nën hetim autorët dhe urdhëruesit e 3 deklaratave zyrtare për median të Policisë së Shtetit, të cilat jo vetëm janë kontradiktore, por edhe lanë për të kuptuar se ishte i pari viktima Rasha që i ka drejtuar pistoletën punonjësit të policisë, i cili e ekzekutoi në kushtet e vetëmbrojtjes?!

    Pas nisjes së hetimit nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), rezultoi se arma e gjetur ishte rreth 100 metra larg kufomës së të ekzekutuarit. Sot mësojmë se nuk i përkiste atij; kush e la në atë vend dhe a është në inventarin e policisë ajo armë?!

    Gjithashtu u zbulua se polici përgjegjës deri më tani, Nevaldo Hajdëraj nuk kishte kamera të trupit, e cila është e detyrueshme që të mbahet në shërbim.

    Këto kamera janë në lidhje direkte me Sallën Operative në drejtorinë e Policisë në Tiranë, e cila është përgjegjëse për funksionimin e tyre.

    A po hetohet se përse polici Hajdaraj është lejuar që të jetë në shërbim pa kamerën e trupi?

    A janë marrë në pyetje operatorët për të mësuar se në çfarë ore polici i akuzuar për vrasjen e Klodianit, e ka hequr atë nga trupi?!

    A është marrë në pyetje komandanti i “Shqiponjave” dhe zinxhiri komandues i repartit, për të treguar rrethanat dhe dinamikën e asaj nate?

    Çfarë ndodhi me skenën e krimit nga ora 01.30 deri nëorën 5 të mëngjesit, kur edhe mbërritën hetuesit e SHÇBA?

    Kush dhe përse serviri lajme në media (janë email-et nëpër redaksi si provë) se ai ishte i armatosur dhe ia kishte drejtuar armën policit?

    Përse u tentua që viktimës t’i nxihej biografia duke e nxjerrë herë kontigjent kriminal, herë të sëmurë mendor dhe herë si me të kaluar problematike që fëmijë?

    A u zhdukën filmimet e kamerave në bizneset përreth vendngjarjes dhe sa është e vërtetë që atë natë ato kamerat “rastësisht” kishin qëlluar të fikura?!

    A ka pasur përleshje dhe dhunë përpara ekzekutimit dhe sa policë kanë qenë në vendngjarje, duke ditur që policët “Shqiponja” nuk operojnë kurrë vetëm?

    A ka një hetim për mënyrën se si është rekrutuar në polici ekzekutori i Klodianit dhe për problematikat e tjera të repartit “Shqiponja”, pasi ankesat për tejkalim kompetencash, dhunë dhe arrogancë të demonstruar prej tyre mbi qytetarët janë të shumta?

    Si trajnohen për përdorimin e armëve, policimin në komunitet dhe a i kanë kaluar të gjithë testet përkatëse, duke përfshirë edhe ato psikologjike?

    Kur është vënë në dijeni për ngjarjen drejtori i policisë së Tiranës, ai i përgjithshmi dhe vetë ministri Lleshaj?

    Dhe sidomos kur është njoftuar prokuroria; menjëherë apo shumë orë pas ngjarjes?!

    Për të gjitha këto dhe shumë enigma të tjera, ende nuk ka një hetim. Të paktën zyrtarisht, por edhe sipas burimeve.

    Por nga ana tjetër, dhjetëra të rinj që protestuan për këtë vrasje shtetërore të jashtëligjshme dhe makabre, po hetohen me shpejtësi dhe shumë e shumë të tjerë janë shpallur në kërkim.

    Ky është shteti i dy standardeve, kundër të cilit edhe po protestohet kaq fort këto ditë!

    Artikulli i mëparshëmFOTOT: Drejt zbardhjes misteri i “Dhomës së Qelibarit”, mrekullisë së vjedhur nga nazistët
    Artikulli i radhësAta që marrin vaksinën e Covid-19, nuk duhet të konsumojnë 2 muaj alkool dhe duhan