Protesta e djeshme është ndjekur sot me arrestimet dhe procedimet nga ana e Policisë së Shtetit. Në rrugë zyrtare është njoftuar se nën hetim janë marrë 9 persona në Korçë, ndërsa në Bulqizë 7 prej protestuesve. Ndërkohë që në Tiranë shifrat janë shumë të larta.
Zyrtarisht janë arrestuar 56 të arrestuar dhe 116 persona të tjerë që janë nën procedim penal, por në gjendje të lirë, ndërsa vijon ende puna për kapjen e organizatorëve të protestës. Policia e Shtetit ka komentuar pamjet që u bënë virale në media, ku disa efektivë policie dhunon disa të mitur, të moshës rreth 13 vjeç. Duke mos e dënuar aktin, Policia ia ka pasuar gjithçka prindërve, duke u kërkuar që të mos i lejojnë minorenët që të bashkohen në tubime të tilla.
Ndërkohë që për këtë rast institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet pasi Kodi Penal e ndalon shoqërimin apo ndalimin e të miturve. Gjithashtu ka bërë edhe thirrje për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve lidhur me ngjarjen e djeshme. Sa i përket dhunës së ushtruar nga protestuesit, Policia bën thirrje për shuarje të gjakrave, duke përmendur edhe njëherë se vrasje e kryer nga efektivi Nevaldo Hadëraj është akt individual dhe se nuk i njëson dot të gjithë forcat e Policisë së Shtetit.
Një tjetër i shoqëruar gjatë mbrëmjes së djeshme ishte dhe gazetari Xhoi Malësia, i cili pretendon se është dhunuar nga efektivët gjatë kohës që ishte mbajtur në Komisariat. Ndërkohë që dëmet në qytet nga protesuesit ishin gjithashtu të mëdha. Për një afat të pacaktuar është vendosur mbyllja e Bibliotekës Kombëtare, Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Muzeut Kombëtar për shkak se duhet kohë për të riparuar dëmet e pësuara. Lidhur me protestat ka pasur edhe reagime nga persona publikë në vend, një ndër ta edhe aktori i njohur Robert Ndrenika, i cili u shpreh se edhe ai kishte pakënaqësi por shtoi se e urrente anarkinë.
Ndërsa edhe sot janë paralajmëruar protesta. Në orën 18:00, qytetarët do të mblidhen sërish dhe nën moton ”Drejtësi për Klodianin”, do të kërkojnë lirimin nga detyra të kryepolicit, Ardi Veliu. Por kërkesa e tyre u hodh poshtë kategorisht nga kryeministri Edi Rama, i cili reagoi në rrjetet e tij sociale. Përveçse në Shqipëri, një tubim është organizuar edhe në Greqi, para Ambasadës shqiptare në Athinë.
Jo më larg se dje kryeministri Edi Rama, lajmëroi në një komunikim për shtyp, njoftoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Vetë ky i fundit u shpreh se nuk mund të qëndronte më në detyrë pas vrasjes së një të pafajshmi nga Policia e Shtetit.
Pas largimit të tij, sot kreu i qeverisë është takuar me kryeparlamentarin, Gramoz Ruçi me gjasa për të nisur bisedimet lidhur me kreun e ri të Ministrisë së Brendshme por ende nuk kanë dalë me një emër konkret.