Gjatë vitit që Tirana mbajti kryesinë e OSBE-së, progresi i pjesshëm në reformën zgjedhore, numri i ulët i hetimeve për korrupsion dhe sulmet e vazhdueshme kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, përkeqësuan rekordin e të drejtave të njeriut të Shqipërisë, thanë gjashtë organizatat shqiptare në një raport të publikuar të hënën.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, Instituti i Studimeve Politike, BIRN Albania, Qendra për Iniciativa Ligjore Civile dhe Shoqëria për Ndihmë Ligjore Falas vlerësuan të drejtat themelore të njeriut dhe shtetin e së drejtës gjatë kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria.
Reforma në drejtësi, procesi kryesor i vendit që synon të pastrojë dhe riorganizojë sistemin e drejtësisë, të njohur për ngadalësi dhe korrupsion, po ecën me ritme të ngadalta, vëren raporti, ndërkohë që çështjet në pritje të gjykimit janë shtuar nëpër gjykatat e vendit. Procesi i vetingut, kontrolli i jashtëzakonshëm i aseteve, aftësive profesionale dhe figurës morale të gjyqtarëve e prokurorëve, ka arritur deri tani të shkarkojë gjysmën e subjekteve që i janë nënshtruar ndërsa më shumë gjyqtarë e prokurorë kanë vendosur të dorëhiqen për të shmangur procesin. Ndërsa vetingu konsiderohet gjerësisht si një hap i mirëpritur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, prokurorët dhe gjyqtarët e paktë të mbetur përballen me një ngarkesë akoma më të lartë pune, duke sjellë zvarritje për qytetarët që presin drejtës.
“Sistemi përballet me mungesë burimesh njerëzore, ngarkesë më e lartë në punë dhe çështje të akumuluara të prapambetura,” tha Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Skëndaj theksoi gjithashtu se institucionet e reja të drejtësisë, të krijuara nga reforma, “kanë nevojë të përmirësojnë nivelin e transparencës” dhe po kështu vërejti edhe kryeredaktori i BIRN Albania Besar Likmeta, i cili shtoi se Këshilli i Lartë i Gjyqësor e ka çuar përdorimin e parimit të mbrojtjes së të dhënave personale në ekstrem, duke fshehur nga publiku emrat e gjyqtarëve të emëruar apo të shkarkuar apo emrat gjykatave si dhe emrat e gjyqtarëve të vënë nën hetim disiplinor, duke i klasifikuar këto si të dhëna personale.
Liria e shprehjes dhe liria e medias shënuan përkeqësim gjatë vitit 2020 ndërsa Shqipëria u testua nga një tërmet i fuqishëm më 2019 dhe nga pandemia.
“Ne kemi parë raste kur policia ka referuar për hetim gazetarë dhe stacione televizive për ‘përhapje paniku,’” theksoi Likmeta, duke nënvijëzuar gjithashtu se prokurorët gjithsesi nuk kanë vijuar të hetojnë pretendimet e policisë.
Kryeministri Edi Rama vijoi edhe gjatë këtij vitit sulmet verbale dhe ligjore kundër medias, përfshirë miratimin e një ligji kontrovers për rregullimin e medias online, i cili bie ndesh me standardet ndërkombëtare ndërsa një numër padish civile për shpifje që kanë tiparet e SLAPP janë shtuar.
Civil Rights Defenders dhe Shërbimi Ligjor Falas, dy organizata të të drejtave, theksuan se të drejtat themelore të njeriut të tilla si e drejta për akses në informacion dhe konsultimi publik janë injoruar gjatë këtij viti.
Ndryshime në ligje shumë të rëndësishme, përfshirë kodin penal dhe kodin zgjedhor, janë miratuar në parlament pa konsultimin e detyrueshëm publik.
“Një vendim tjetër shumë i debatuar i kryer në shmangie të konsultimit publik ishte ai i shkatërrimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Shkatërrimi, i cili u kundërshtua nga një protestë dyvjeçare, u krye ndërkohë që vendi ishte nën kufizimet e ndalimqarkullimit për efekt të pandemisë dhe protestat ishin të shpallura të ndaluara,” vëren raporti.
Shqipëria mbajti kryesimin e OSBE-së për vitin 2020 dhe ia kaloi atë Suedisë këtë muaj. Kryesimi i OSBE-së është një pozicion që mbahet nga ministri i jashtëm, i cili, në rastin e Shqipërisë është kryeministri Edi Rama./ Reporter.al/