Nga Esiona Konomi
Kuvendi po kërkon një inspektor të ri për kontrollin e pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kjo pasi Shkëlqim Ganajt i mbaron mandati, dhe ai nuk ka rikandiduar në garën e shpallur nga Parlamenti.
Në përfundim të mandatit 7 vjeçar, edhe pse nuk garon vetë, Ganaj do të ketë në garë një prej vartëseve të tij. ABC ka mësuar emrat e 6 kandidatëve kur gara tashmë është mbyllur në Kuvend, dhe bie në sy mes aplikantëve Evgjeni Basharit, e cila aktualisht është Sekretare e Përgjithshme e Inspektoratit.
Në garë, janë dhe emra të njohur, si Eridjan Salianji, ish zv/ministër drejtësie në qeverinë socialiste, dhe përfaqësuesi zyrtar i PS-së në KQZ.
Postin e kontrolluesit të pasurisë së zyrtarëve e synon edhe Lefterie Lleshaj, ish kryetare e KQZ-së, aktualisht drejtoreshë në Kuvend. Pjesë e garës janë dhe tre zonja të tjera: Evis Fico, Helena Papa dhe Dhimitrulla Spiro.
Burimet, thonë se kupola drejtuese në qeveri mbështet vartësen e Ganajt, Evgjeni Bashari, por meqë votimi do të bëhet në janar, të gjithë kandidatët kanë kohë të lobojnë e ta ndryshojnë kursin drejt këtij posti me rëndësi specifike.
Për kreun e ri të ILDKP-së Kuvendi zhvillon dy votime. I pari synon një konsensus me opozitën ndaj kërkon 84 vota. Por, nëse socialistët nuk i arrijnë numrat, nuk ka asnjë bllokim, sepse në raundin e dytë të votimit mjaftojnë 71 kartonë jeshilë për të preferuarin e mazhoracës.