Erling Haaland u vlerësua nga “Tuttosport” si “Golden Boy 2020”, një çmim simbolik që nuk mund të përmbush kurrsesi egon e biondit norvegjez. Në një prononcim për të përditshmen torineze, Haaland tregoi objektivat dhe idhullin e tij: “Jam përmirësuar shumë duke shënuar shumë gola, sigurisht “Topi i Artë” është një ëndërr për të gjithë por për momentin mjaftohem me “Golden Boy”, jam krenar që kam fituar këtë çmim që më jep motivim ekstra. Objektivi im është të fitoj Champions League. Idhull? Në jetën time kam pasur shumë idhuj, mundohem të mësoj dhe të përmirësohem. Ibrahimovic është një nga më të mirët e të gjithë kohërave, përpiqem të mësoj nga ai, është një nga idhujt e mi”, u shpreh Haaland.
Një ditë më parë u fol se në garë për të siguruar shërbimet e tij është futur dhe Milan. Kuqezinjtë mund të përfshijnë në tratativa kartonin e Leao i cili vlerësohet me 35 milion euro për të ulur kostot e këtij operacioni. Milan është e detyruar të gjej një zëvendës për Ibrën dhe Haaland është pa diskutim emri më i rëndësishëm. Sulmuesi në Milano do të gjente mikun e tij të ngushte, bashkëkombësin Hauge ndërsa një element shumë i rëndësishëm në këtë operacion është dhe agjenti i tij Mino Raiola. Në një intervistë për “Sportmediaset”, Raiola nuk e përjashtoi mundësinë për një transferim të Haaland në Serie A.