Unioni Turistik Shqiptar (ATU) në një takim me Ministrin e Turizmit Z. Blendi Klosi ka analizuar situatën e krijuar nga pandemia e virusit Covid-19 dhe zgjatjen në kohë të masave shtërnguese, të cilat kanë shkaktuar një dëm serioz për industrinë turistike.
Në takim u diskutua për marrjen e masave paraprake për t’i paraprirë hapjes së sezonit turistik, duke përfshirë turizmin e brendshëm, turizmin rajonal dhe turizmin e organizuar, si dhe hartimin brenda kesaj jave të një manuali sipas protokolleve të miratuara në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me komunitetin e biznesit.
Për sa i përket turizmit të organizuar, në përgjigje dhe të kërkesës së Operatorëve që operojnë me charter në Shqipëri u ra dakord që Ministri i Turizmit të dërgojë një kërkesë zyrtare për tu dhënë atyre një garanci, se autoritetet do të jenë në gatishmeri për të zbatuar me rigorizitet protokollet në kushtet e Covid-19 për shërbimet turistike, të cilat do përfshijnë:
Strukturat akomoduese, shërbimin ne bare dhe restorante, transportin turistik, plazhet etj.
Gjithashtu në këtë takim u kërkua që të mundësohet kryeria e testimit periodik për punonjësit që do shërbejnë në sektorin e turizmit, vecanërisht të atyre që do jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientin siç janë; kamarierët, recepsionistët, shoferët, guidat, etj.
U ra dakord që të negociohet me pushtetin vendor për të bërë të mundur rritjen e siperfaqes së plazhit me 30% për hotelet që janë të kontraktuara, në mënyrë që të bëhet e mundur plotesim me çadra për çdo dhome, pasi për shkak të reduktimit të çadrave nga rregullora e re e cila percakton vendosjen e çadrave në distancën 3.5 m nuk do kenë mundësi të plotësojnë kushtet e kontratës.
U diskutua që në rast se do aplikohet një paketë e trëtë financiare, të rishikohet ndihma ekonomike për sektorin e turizmit, në mënyrë që t’i jepet shtyse këtij motori të fuqishëm të ekonomisë, e cila do të ndihmojë për ta ringritur në një kohë të shpejtë industrinë e turizmit.