Nga Jonathan Gornall “Arab News”
Do të duhet të kalojnë edhe shumë muaj, para se të shohim fundin e pandemisë së koronavirusit. Por ndërsa vaksinat e ndryshme po fillojnë të miratohet dhe shpërndahen, ka dritë në fund të tunelit. Megjithatë, studimet nga e gjithë bota kanë filluar të ngrenë pyetje shqetësuese, se ku dhe kur nisi gjithçka.
Dhe ky proces ka filluar të japë të dhëna se si bota mund të mbrohet më mirë kundër pandemisë së ardhshme. Virusi SARS-CoV-2, u shfaq për herë të parë në Vuhan të Kinës Qëndrore në fund të vitit 2019, ose kështu mendohet gjerësisht.
Më 11 janar 2020, ditën kur Kina raportoi vdekjen e saj të parë, Pekini vuri në dispozicion sekuencën gjenetike të koronavirusit të ri. Dy ditë më vonë, u shfaq rasti i parë jashtë vendit, në Tajlandë. Më 21 janar, virusi kishte mbërritur në SHBA dhe më 29 janar Emiratet e Bashkuara Arabe, raportuan rastin e parë në rajonin e Mesdheut Lindor.
Mendohej se virusi SARS-CoV-2, siç u emërtua më 11 shkurt, kishte kaluar nga një kafshë
e gjallë tek një njeri në një treg të Vuhanit, por edhe ky “fakt” duket tani gjithnjë e më i pasigurt. Pas mbylljes së tregut më 1 janar 2020, u morën 1.336 mostra nga kufomat e kafshëve të ngrira, dhe asnjë prej tyre nuk rezultoi pozitive me SARS-CoV-2.
Ndërkohë nga 842 mostra mjedisore të marra nga zona të ndryshme të tregut, përfshirë tubacionet e ujërave të zeza, 61 rezultuan pozitive. “Mbetet e paqartë nëse tregu ishte një burim i ndotjes, apo veproi si një përforcues për transmetimin e virusit midis njerëzve, apo nga një kombinim i atyre faktorëve”- thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Por pikëpyetja më e madhe, është nëse koronavirusi e ka vërtet origjinën në Kinë, apo nëse Kina, e armatosur me njohuri teknike gjatë betejës së saj me SARS-in në vitin 2003, ishte thjesht vendi i parë që e njohu virusin e ri. Në nëntor, OBSH-ja nisi pa shumë bujë një hetim, për të përcaktuar saktësisht se nga filloi virusi dhe si u përhap ai.
Është një mision kompleks, por jetik për të ardhmen e botës. Puna për të kuptuar se ku e ka origjinën Covid-19 nuk do të kufizohet vetëm në Kinë, siç e bëri të qartë edhe vetë OBSH.
“Vendi ku një zbulohet fillimisht një epidemi, nuk përbën domosdoshmërisht vendin se ku ka nisur ajo. Një shpërthim rastesh me pneumoni të formës së rëndë, u identifikua në Vuhan. Por nuk mund të përjashtohet mundësia që virusi të ketë qarkulluar në heshtje diku tjetër”– thekson OBSH.
Disa shtete, shtoi kjo organizatë, kishin identifikuar raste të Covid-19 në mënyrë retrospektive edhe disa javë para njoftimit zyrtar të rastit të parë, “dhe raportet e pabotuara të mostrave pozitive tek ujërat e zeza, mund të sugjerojnë se virusi mund të ketë qarkulluar i pazbuluar për disa kohë”.
Studiuesit spanjollë, raportuan gjetjen e gjenomeve të SARS-CoV-2 në mostrat e arkivuara të ujërave të zeza të marra në Barcelonë që më 15 janar 2020, 41 ditë para rastit së parë zyrtar në vend. Por gjetja më e habitshme, ishte zbulimi i gjenomeve në mostrat e marra nga një impiant tjetër trajtimi më 12 mars 2019, më shumë se 9 muaj para shpërthimit epidemik të Vuhanit.
Gjetje të ngjashme, janë raportuar në gjithë botën. Në maj, shkencëtarët francezë arritën në përfundimin se pacienti i parë me Covid-19 në Francë, ishte infektuar që më 27 dhjetor 2019, pra një muaj para se të identifikohej rasti i parë zyrtar në vend.
Rasti i parë në Itali u regjistrua më 21 Shkurt, por një kërkim mbi antitrupat e koronavirusit në mostrat e gjakut të marra nga 959 vullnetarë të shëndetshëm në një test për kancerin e mushkërive, zbuloi se virusi po qarkullonte tashmë në vend që në shtatorin e 2019-ës.
Autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën, kanë shumë për të mësuar nga gjetje të tilla, dhe nga moria e studimeve të ngjashme, që është e sigurt se do t’i pasojnë. Hetimi afatgjatë i OBSH-së, mund të jetë në gjendje të përcaktojë se si kur dhe ku ka e pasur origjinën ky virus.
Kjo do t’i japë epidemiologëve informacione shumë me vlerë, mbi mënyrën e përhapjes së viruseve të tilla, dhe mënyrën më të mirë për të frenuar përhapjen e tyre. Por dhurata e vërtetë nga këto studime nga Spanja, Italia dhe SHBA, është se brenda tyre mund të gjenden projeksionet për sistemet e paralajmërimit të hershëm, të afta për ta gjurmuar praninë e vrasësve të rinj mikrobiale në të ardhshmen, para se ata të kenë shansin të infektojnë popullata të tëra.
Para vitit 2020, pak ekspertë do ta kishin konsideruar me vlerë një monitorim të rregullt të ujërave të zeza, ose mostrave të marra nga pacientët e spitalit apo dhuruesve të gjakut, si një mundësi për zbulimin e një patogjeni të ri të rrezikshëm. Por pas vitit 2020 dhe traumës globale të një pandemie që deri më tani ka infektuar më shumë se 73 milion njerëz, dhe i ka marrë jetën 1.6 milion prej tyre, dështimi për të aplikuar strategji të tilla mbrojtje, do të përbënte një neglizhencë kriminale.