Ky që shikoni në foto është Nikoll Sherrniku, 21-vjeçari i arrestuar ditën e djeshme nga policia si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së efektivit të policisë Xhulio Prela mëngjesin e 5 dhjetorit.
Ndërkohë në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij. Konflikti mes Xhulio Prelës dhe dy autorëve dyshohet të ketë nisur pas një sherri momental.
Behet me dije se dy palët janë konfliktuar për dritat e makinës së njërës prej tyre që rrezatonin mbi palën tjetër.
Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit, ndersa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet vrasja e punonjësit të Policisë XH.P, ndodhur më 05.12.2020, në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush.
Grupi i posaçëm hetimor pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Mbasditen e djeshme, Policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes si dhe shpalli në kërkim bashkëautorin tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.P.,punonjës i FNSH-së Shkodër, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N.Sh.dhe B.M.
Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh. dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkëautori tjetër shtetasi B.M, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intesive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e latpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh.P, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit si dhe vijon kontrollin për gjetjen e armës së krimit.